Të paktën 5 civilë u vranë dhe 85 u plagosën sot në një sulm me bomba në veriperëndim të Sirisë.
Viktimat ndodhën pas shpërthimit të një automjeti të ngarkuar me lëndë shpërthyese në qytetin e Azaz, sipas një burimi të sigurisë i cili kërkoi të mbetej anonim për shkak të kufizimeve për prononcim për media.
Burimet thonë se terroristët e YPG/PKK kryejnë sulme të këtilla por nuk marrin përgjegjësi për to pasi në sulme plagosen edhe civilë.
Burimet gjithashtu thonë se qytetarët e plagosur, të cilët ishin në gjendje kritike, u sollën në Turqi.
Më herët gjatë ditës, të paktën 13 persona, duke përfshirë edhe fëmijë, u plagosën në një sulm terrorist në Afrin, në pjesën veriperëndimore të Sirisë.
Grupi terrorist YPG/PKK, i cili ende i mba të pushtuara qytetet Tal Rifaat dhe Manbij të Sirisë, shpesh shënjestron al-Babin, Azazin, Jarabulusin dhe Afrinin.
Që nga viti 2016, Turqia ka filluar katër operacione antiterroriste përtej kufirit të saj në veri të Sirisë për të parandaluar formimin e një korridori terrorist dhe të mundësojë zgjidhjen paqësore nga vendasit: Mburoja e Eufratit (2016), Dega e Ullirit (2018), Burimi i Paqes (2019), dhe Mburoja e Pranverës (2020).
Në fushatën e saj mbi 30-vjeçare terroriste kundër Turqisë, PKK, e radhitur si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40.000 personave, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG është nëndega siriane e PKK-së.


