Sot fillon greva e përgjithshme e punëtorëve të Postës së Kosovës

Mos i humb

Sindikatat e punëtorëve të Postës së Kosovës kanë njoftuar se sot do të mbajnë grevë të përgjithshme.
“Sindikatat e punëtorëve të Postës së Kosovës ju njoftojnë se më 6 korrik 2018, nga ora 13:00 deri në orën 14:00, të gjithë punëtorët do të hyjnë në grevë të përgjithshme. Gjatë kësaj kohe do të mbyllen të gjitha zyrat postare, në tërë territorin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e sindikatës së Postës.

Sipas njoftimit të sindikalistëve aktiviteti nuk do të ndalet deri në realizimin e të gjitha kërkesave: Pagesa e menjëhershme e mjeteve financiare nga Qeveria e Kosovës, si obligim ligjor, për humbjet në Shërbimin Universal Postar. Implementimi i strategjisë së dërguar nga Posta e Kosovës në Qeveri, e cila garanton stabilitet afatgjatë financiar për ndërmarrjen tonë. Të ndalohet favorizimi i operatorëve privatë për faktin se shërbimet e njëjta Qeveria mund t’i kryej me ndërmarrjen e vet, Postën e Kosovës, me kualitet më të lartë e me kosto më të ultë.

Gjithashtu, lajmi.net ka siguruar një e-mail interno që Menaxhmenti i Postës u ka dërguar punëtorëve të saj, i cili u publikua dje, ku sqarohet për mos daljen e pagave për shkak të problemeve financiare.

Aty thuhet se pagat për punëtorët nuk do të dalin deri sa Qeveria dhe Telekomi të kryejnë problemet financiare ndaj tyre.

“Edhe pse sot është data 05.07.2018 dhe është dashur që të  ekzekutohen pagat për të gjithë juve, jemi të obliguar të ju njoftojmë se për shkak te mos ekzekutimit të pagesës së qirasë nga Telekomi i Kosovës si  dhe mos kryerja e pagesave nga shitja e produkteve të tyre e kemi pasur të pamundshme që të bëjmë ekzekutimin e pagave me kohë”, thuhet në e-mailin e dërguan ndaj njërit nga punëtorët e postës.

Borxhi që aktualisht Telekomi ka ndaj Postës së Kosovës është 862,928.09 euro, gjë që ka krijuar vonesa në ekzekutimin e pagave.

“Ne kemi bërë edhe paralajmërime publike që mos mbulimi i Shërbimit Universal Postar nga Qeveria do ta sjell ndërmarrjen në vështirësi financiare, deri tek pamundësia e ekzekutimit të pagave. Deri më tani, borxhi që Qeveria ka ndaj ndërmarrjes është rreth 5 milionë euro”, thuhet më pas aty.

Kujtojmë, se Qeveria dhe Posta e Kosovës vazhdojnë të përplasen rreth ligjshmërisë së kërkesës së parashtruar nga Posta, për ndarjen e mjeteve nga buxheti i Kosovës për mbulimin e humbjeve të kësaj ndërmarrjeje.

Kërkesa e Postës së Kosovës drejtuar Qeverisë, sipas zyrtarëve qeveritarë, nuk ishte ligjore, pasi paraprakisht janë anashkaluar institucionet kompetente për këtë çështje. Ndërkohë, përfaqësuesit e Postës e thonë të kundërtën.

Posta e Kosovës, dikur konsiderohej ndër kompanitë më fitimprurëse në vend. Por, tani ajo ndodhet në një situatë të vështirë financiare. Madje, nga muaji i ardhshëm, thuhet se do të rrezikohen edhe pagat e punëtorëve të saj për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Për këtë arsye, Bordi i drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje ka kërkuar nga Qeveria që t’i mbulojë humbjet financiare.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit