Arben Ahmetaj, Deputet i Partisë Socialiste, ka reaguar në rrjetin social Facebook mbi urdhër-arrestin e Prokurorisë Anti Korrupsioni ndaj tij.
Pak minuta përpara se Kuvendi të mblidhet në një seancë plenare të posaçme për të diskutuar mbi kërkesën e SPAK për arrestimin e tij, Ahmetaj sqaron pozicionin e tij.
Fillimisht mesazhi i Ahmetajt i drejtohet votuesve.
“Të dashur qytetarë të Vendit tim. Të dashur votues të mi e të Partisë Socialiste. Të dashur Miq e Armiq njëlloj. Sot është dita kur Parlamenti do votojë heqjen e imunitetit tim, dhe autorizimin e arrestimit tim. Mendova që të ndaja me votuesit e mi kryesisht, dhe me të gjithë qytetarët këtë mesazh.
Votuesve të mi: Juve që më votuat në Tiranë në 2005, juve që më votuat në Korçë në 2009, juve që më votuat në 2013 në Gjirokastrën time, në Përmetin tim e në Tepelenën time, juve që më votuat në Rrogozhinën time e në Kavajën time në 2017, juve që më votuat në Njësinë nr. 4 në Tiranë, e në gjithë qarkun e Tiranës në 2021 : Faleminderit nga zemra!
Shpresoj e lutem ta kem justifikuar besimin tuaj. Në mendje ju kisha pikërisht juve, që kur ideova e hartuam taksën progresive që i dha të drejtë të gjithë atyre që paguheshin më pak e paguanin më shumë. Shpresoj të kem bërë më të mirën time kur mora përsipër Ministrinë e Ekonomisë dhe marrëdhëniet me sipërmarrjen, e më vonë edhe turizmin. Frytet t’i gëzojë vendi, sipërmarrja e qytetarët e zakonshëm.
Shpresoj të kem bërë më të mirën kur mora përsipër Financat në një periudhë tejet të vështirë për ekonominë e vendit dhe i dorëzova në kulmin e rritjes reale. Shpresoj të kem bërë më të mirën me Rindërtimin, kur mijëra e mijëra familje ngelën rrugëve pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019. S’kam për ta harruar atë nënën në Vaqarr që qante me lot kur hyri në shtëpi falas, e pronë e vetë, e si ajo mijëra familje. Shpresoj të kem bërë më të mirën dhe me pandeminë, me sipërmarrjen dhe me rendjen së bashku me kolegë, për vaksinat që nga India, Jordania, Anglia, Amerika e Turqia e gjithandej për të shpëtuar jetët e qytetarëve të vendit tim. Shpresoj të kem bërë më të mirën si Zv/KM, me idejimin dhe fillimin e digjitalizimit të kadastrës, apo dhe satelitët Albania1 e Albania2 që, siç thotë Niko i Lesajve, po më ndjekin mua në “arrati”. Jam munduar të bej më të mirën”,- shkruan Ahmetaj.
“Kush qeveris e punon, nuk është kurrë dot perfekt. Ju kërkoj ndjesë dhe për këtë. Unë nuk hy tek “fytyrat e bukura” që ngjaj bukur në TV, dhe të ngjall perceptim pozitiv, siç rëndom ndodh me këdo që refuzon të ikë nga ekrani duke treguar bëma të bëra e pa bëra. Fatkeqësisht, ose fatmirësisht, s’jam i tillë. Nëna dhe Babai më kanë dhënë një fytyrë krejt të zakonshme. Ndoshta serioziteti im në punë mund të jetë marrë dhe për arrogancë, s’ka qenë i tillë kurrë, kush me njeh nga afër, e di mirë këtë. Gjithsesi, ndjesë dhe për këtë”,- vijon ish Zv Kryeministri.
Ahmetaj më tej e cilëson populizëm gjyqësor e politik vendimin për arrestimin e tij.
“Falenderoj dhe Kolegët e mi të mazhorancës dhe opozitës për nxitimin e treguar këtë javë. I “mirëkuptoj” për këtë, sepse politika dhe drejtësia e re e akoma e hershme për t’u quajtur e maturuar, kërkojnë statistika. Siç tha dhe avokati im “Populizmi gjyqësor e penal në ngjitje është më i rrezikshëm se sa populizmi politik, për shkak se humbet e i mungon legjitimiteti demokratik”. Avokati im në Këshillin e Mandateve citoi një thënie të vjetër nga Franca “E shoh që dy zgjidhje të mundshme ka në tavolinë, ose do të bjerë koka e mbretit, ose ju do të duhet të pranoni dështimin e revolucionit”, shton Ahmetaj.
“Unë jo e jo që s’kam gjak blu, por jam një njeri tejet i zakonshëm, me gjak nga Gjirokastra, Vlora, Korça, Rrogozhina, Kavaja, Lezha, Kukësi e Tropoja nëse doni. Dhe lutem e shpresoj që Drejtësia e Re që unë e kam mbështetur e votuar me të dyja duart, të mos deformohet nën presionin e politikës dhe statistikës”, vijon ai.
“E kam përjetuar diku me qetësi, diku me “buzëqeshje të brendshme”, diku me revoltë të brendshme, nxitimin triumfues të largimit një vit më parë, totalisht një sinjal për “të gjitha kafshët e pyllit”, kërcënimin me demek indirekt në një forum partie “se do ikja në të s’ëmës”, habinë dhe thyerjen kur mora vesh se kush nga “tanët” ( së bashku me ata që më duan të vdekur, siç tha Fevziu në Opinion përpara disa muajsh), promovuan mercenarët të shërbenin kundër meje, “marrjen peng” të bashkëjetueses time dhe ish-bashkëshortes time, e më pas kontrollet spektakolare të emetuara si të ishin kallëpe të dala nga goja, e banesave, ku lajmi shkonte më parë në media sesa procesverbali në zyrat e institucionit, të qenit një “black falling star” në një media kombëtare që e kam dashur dhe respektuar shumë (meqë ra fjala, dhe lufta në Kosove dikur zgjati më pak në media se sa emri im servirur nga Spin Doktor/doctors si gjellë e helmuar e përditshme), pastaj disa “falanga” të dala nga kuadri i ligjit që nuhasnin gjurmët e mia. Në shume vende demokratike ku Spin doctor/doctors nuk do arrijnë të strukturojnë mesazhin…kjo quhet “PËRNDJEKJE”. Ka një nen në Kodin penal, ndoshta 121, ndoshta 128” shprehet Ahmetaj.
“Ahhh, harrova se si filloi, me frikën dhe stopimin e 90% të atyre që punoja në nivelet e larta në politikë apo ekzekutiv, e që dikur ndoshta i kam mbështetur e promovuar (me ato mundësi të miat), për të bërë atë që kishim bërë ndër vite, të ishim miq e shokë. I kuptoj që “duhet” të kishin e kenë frikë, ndoshta. Nuk i mirëkuptoj, po e di që ishte gjendur “armiku” që do dimensionohej e ri-dimensionohej më pas në shumë episode” deklaron ish zv Kryeministri.
Sipas tij, “dikush nga gazetarët tha që jam në 30 vite zyrtari me i lartë që kanë qejf të më shohin në burg. Eee, Fatos Nano që unë e dua shumë dhe e respektoj pa fund, dhe unë, të bëhemi kujtesa se ç’mund të bëjë padrejtësia, politika dhe deformimi i drejtësisë. Mos më keqkuptoni, s’kam pasur kurrë ambicie të bëhem Kryeministër, as në ëndrrat e mia më të thella të subkoshiencës. Thjesht e përdora si statistikë, referencë dhe të vërtetë të hidhur. Dua te sqaroj qytetarët dhe mbi te gjitha votuesit e mi për ca dyshohem, apo siç kanë qejf disa gazetarë opinionistë e politikanë akuzohem:
1. Për njohje të hershme me një njëri i cili kur unë e kam njohur ka qenë njeri normal e në punën e vet. Nuk e di e s’marr përsipër të bëj gjyqtarin, për çfarë ka bere ne jete ky njeri. Po nuk besoj se njohja me dike qe ndoshta drejtësia e akuzon, të bën te akuzuar apo bashkëpunëtor.
Unë në punën time në opozitë dhe më pas ne qeveri kam pas kontakte me gati 100 përqind të bizneseve të vendit. Mijëra mëngjese pune, dreka pune, darka pune, takime pune kanë dhënë frytet e tyre në politikat e zhvillimit të vendit. Mendimet dhe kontributet e tyre kanë marrë qindra here formën e nismave ligjore në funksion të zhvillimit te vendit. Një gazetar që vlerësoj shumë për profesionalizmin, ka thënë diku që “çkodimi i Blackberry ka zbuluar”… Bisedat e mija siç e theksova dhe dje janë krejt normale dhe impotente në raport me favorizimin apo lobimin, aq më tepër në opozitë
2. Se ish bashkëshortja ime (që s’ka punuar kurrë në një institucion shtetëror) ka shitur metra katrorë, pronë e deklaruar në deklaratën time të pasurisë, në treg të lirë, si korrupsion???? Pronën e familjes te deklaruar me burime te verifikuara, si korrupsion?? Hetim kujt ja ka shitur pronën?? Nëna ime ne 2006 ja ka shitur shtëpinë tonë motrës time, që jeton gati 17 vite atje. Quhet fiktive???”, tha Ahmetaj.
3. Se bashkëjetuesja ime (qe ka 20 vite që punon në sektorin privat) dhe familja e saj ka blerë pronë në Hamallaj, me transaksion të pastër e të verifikuar bankar. Mercenaret e kapur në flagrancë kan pretenduar se ka qenë pronë e Klodian Zotos. Bëjeni këtë pyetje publikisht. Klodian Zoto, që s’ka qenë kurrë miku im, se ka pasur kurrë pronë, e s’ka paguar kurrë një cent për këtë pronë, që më pas të ishte në gjendje të falte e dhuronte këtë pronë. Verifikoheni se është kollaj të mos e duash “fytyrën e ngrysur” timen në perceptim” shkruan Ahmetaj.
“4. Se kam bërë alokime e ri-alokime me kërkesë gjithmonë të ministrive të linjës, si ministër financash. Ejj Ministri i Financave bën gati 2000 ri-alokime e alokime e çelje investimesh në vit. Kush e njeh ligjin e Buxhetit qesh me këtë akuzë. I lutem institucionit të drejtësisë ta lexojë këtë ligj.
5. Se kam bërë biznes ndërtimi në 2004 e kam marrë e kredi në 2006 për këtë biznes (e verifikueshme nga banka Amerikane, sot Inteza San Paolo). Në komision u tha një e pavërtetë, që kredia është marrë në 2016. Kush ka ndërtuar e blerë shtëpi e di mirë si funksionon ky biznes në Shqipëri.
6. Për mos marrje pjesë në procedurë të tenderëve dhe koncesioneve, për shkak të pozicioneve të mija zyrtare. Pozicionet e mia zyrtare në ministri të ekonomisë apo financave nuk marrin pjesë në procedura. Letrat janë atje. Skam mare pjese procedurat e inceneratorëve. Letrat do dalin, e nëse dikush do të kërkojë ti fshehë, do dalin gjithsesi.
7. Se është përdorur fondi rezerve për financim e inceneratorit të Elbasanit. Edhe sikur të ishte kështu do ishte sërish komplet ligjore. Por financimi i inceneratorit të Elbasanit është bërë kur unë s’kam qenë ministër Financash, dhe është bërë në përputhje të plote me ligjet në fuqi. Para-ardhësi im, z. Shkëlqim Cani dhe qeveria ka zbatuar ligjin në këtë vendim. Mësova kur u thirra në SPAK, se nuk e mbaja mend që s’kisha marrë as pjesë në këtë mbledhje qeverie”, sqaron Ahmetaj.
“Për ju qe i lexoni si kureshtarë (nëse i lexoni), hetimi im s’ka pasur fare të bej me inceneratorët, se unë për shkak të pozicioneve s’kam pasur tagër të përfshihem në procedurat e tenderimit. Është hetuar Arbeni, jeta e tij për 25 vite, dhe jo procedura. Të thahet liqeni, mbase ngelet peshk në taban. Standard që s’duhet ti përkasë drejtësisë së re.
Kushdo që është rritur me mua në fëmijëri, apo ka pasur lidhje miqësore apo dikur biznesi e tavolinash është hetuar. Nexhmija po të ishte gjallë do thoshte “mua s’më qeka bërë asnjë nga “non grata” që është lëshuar si hijenë bashkë me të deformuarin e zëshëm, apo “miq” me thika blu e roze.
Dikush më tha “të duan në burg vëlla”. Kam marrë kërcënime (I kam me screenshot e me zë ndoshta), madje se fundi dhe një mesazh triumfi si mirëseardhje…Nëse do ta meritoj, sigurisht që do ndodhi…po jo përpara se e vërteta të marri rrugë e dritë.
Shpresoj të dalin sa me shume shkresa e letra te miat, si ajo ato që BIRN nxori dje, që qytetaret te kuptojnë (aq sa mundet) që puna “ E fytyrës së ngrysur” ka qenë në interes të publikut. Më kanë quajtur “në arrati”. Mendoj që kam ikur për arsye serioze familjare (një pjesë e miqve të mi e dinë përse), dhe besoj e mendoj kam ikur përpara se kërkesa e SPAK për imunitetin tim të ketë shkuar në poste për të arritur pas disa ditësh në Kuvend. Kush ka qejf për scoop ta quajë “arrati”. Dhe Luigjit të 16 ju dha katër ditë kohë përpara se ti pritej koka, ndërsa mua e avokatëve te mi, as 24 orë (17 orë gjithsej) për një dosje 230 faqe e mbushur me supozime e ndoshta ‘palë të treta’ e një materiali 60 GB”, sqaron Ahmetaj.
Së fundmi i falenderoj të gjithë kolegët e mi, të mazhorancës dhe opozitës që do të votojnë sot, dhe ata që vrapojnë dhe thonë që përgjegjësia është personale. Poooo personale është kur e shkel. Sidomos për ata të hershëm, sot në opozitë, e të rinj që firmosin për punë e projekte…”, shkruan Ahmetaj
“Në mbylljen, i kërkoj të falur familjes time, Livias, Kejsit, Kejlis, Erjoles bashkëjetueses time, Albinës, ish gruas time, nënës time, motrave të mija, miqve të mi për shqetësimet, që i kam sjellë pa dashje me këtë histori, Shpresoj që të më falin në këtë jetë. I kërkoj të falur dhe votuesve të mi, po Zoti e di të vërtetën, që unë do mundohem ditë pas dite ta nxjerr. To be continued…”,thekson Ahmetaj.


