
Zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe ministër i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka marrë pjesë në promovimin e njësisë së re policore e cila do të funksionojë në qytetin e Shkupit.
Në deklaratë për mediat, Spasovski tha se gjatë riorganizimit të brendshëm, tri njësi janë bashkuar në një njësi të vetme, duke shtuar se qëllimi i kësaj është që të rritet siguria duke pasur më shumë policë në rrugë.
“Duke u nisur nga trendet bashkëkohore për rritjen e sigurisë nga ajo që është nevojë e qyteteve të mëdha siç është kryeqyteti ynë Shkupi, si dhe për të vendosur stabilitetin, paqen dhe rendin publik, ishte e nevojshme të bëhej një reformë në mënyrë që të ketë sa më shumë policë në rrugë. Ky ishte qëllimi për të cilin, gjatë kësaj reforme, Njësia ‘Alpha’, Njësia e Rendit Publik dhe Paqes, si dhe Njësia e Ndihmës dhe Zbatimit tani janë vendosur në një njësi”, tha Spasovski, duke shtuar se njësia policore për ndërhyrje do të veprojë në territorin e qytetit të Shkupit.
Ai gjithashtu tha se gjatë formimit të njësisë së re është ndjekur modeli i zbatuar në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb, duke shtuar se në qytetet në të cilat janë formuar këto njësi, është shënuar ulje e konsiderueshme e krimit.
“Ne presim që siguria në këtë drejtim të rritet, të ketë një prezencë më të madhe të policëve të uniformuar të policisë në territorin e qytetit të Shkupit, të jenë këtu, të jemi pranë qytetarëve, të punojnë për të parandaluar çdo lloj krimi të mundshëm dhe në fakt përmes analizave që i kemi bërë më parë, kemi treguar se kudo ku janë formuar këto njësi, kemi një ulje të konsiderueshme të krimit në ato qytete”, tha Spasovski.
Ministristri i Punëve të Brendshme gjithashtu tha se në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut ekziston nevoja për intervenime më të shpeshta, por, siç u shpreh ai, varësisht prej nevojës, njësi të këtilla mund të themelohen edhe nëpër qytete të tjera.


