Struktura komplekse politike në Bosnjë e Hercegovinë ndikon edhe ndaj emigrantëve

Mos i humb

Struktura komplekse politike e sjellë nga Marrëveshja e Paqes së Dejtonit e cila i dha fund luftës në Bosnjë e Hercegovinë në vitet 1992-1995, ndikon negativisht edhe ndaj emigrantëve të parregullt që kanë mbetur të bllokuar në këtë vend të Ballkanit.

Në krizën e emigrantëve që vazhdon prej 3 vitesh në Bosnjë e Hercegovinën (BeH) e përbërë nga dy entitete, 10 kantone dhe 1 rajon autonom, ngarkimi i barrës në masë të madhe vetëm mbi një kanton ka shkaktuar që tashmë situata të arrijë në nivel të patolerushëm.

Teksa Kantoni Una-Sana (USK) në kufi me Kroacinë, vazhdon të jetë rajoni me prezencën më intensive të emigrantëve për shkak të afërsisë me kufirin, qeveria e kantonit javën e kaluar rriti masat e sigurisë pasi deklaroi që tashmë nuk do të pranojë më emigrantë.

Policia e kantonit filloi të zbatojë masat e reja në qytetin Kluç i cili është hyrja e USK dhe në të njëjtën kohë kufi me entitetet e Federatës së BeH-së dhe Republikës Sërpska (RS).

Policët tashmë nuk lejojnë hyrjen e emigrantëve në kanton duke i ndaluar një e nga një autobusët dhe mjetet e dyshuara që hyjnë në rajon duke i kontrolluar ato nëse ka apo jo emigrantë.

Emigrantët që ndodhen në autobusët që shkojnë në qytete të kantonit si Bihaç, Cazin, Velika Kladusha, vendosen në pritje në “zonën neutrale” mes dy entiteteve.

Pavarësisht se për emigrantët që nuk lejohen të hyjnë në kanton kryhen kontrollet shëndetësore në qendrat e përkohshme të ngritura nga Kryqi i Kuq, mungesa e kushteve për të qëndruar në këtë qendër të vogël shihet si një tjetër problem.

Zyrtarët e Kryqit të Kuq kanë thënë se në mesin e emigrantëve ka edhe familje me fëmijë, se kushtet në këtë qendër të përkohshme janë shumë të këqija dhe se ky mjedis nuk ka kushtet e një kampi emigrantësh.

Ndërsa në anën tjetër bëhet e ditur se çdo ditë qindra emigrantë të parregullt nëpërmjet rrugëve të fshatrave dhe të pyllit vazhdojnë të provojnë kalimin e kufijve të vendit anëtar të Bashkimit Evropian (BE), Kroacisë.

“Shteti tashmë duhet të marrë nën kontroll krizën e emigrantëve”

Kryeministri i USK, Mustafa Ruzniç, në një deklaratë për AA ka bërë të ditur se situata në kanton ka filluar të përmirësohet pas masave që kanë vendosur në zbatim pak kohë më parë. Ai më tej theksoi se “Tashmë shteti duhet të marrë nën kontroll krizën e emigrantëve në të gjithë vendin”.

Qëllimi për marrjen e masave të reja është ndalimi i fluksit të emigrantëve drej kantonit, bëri të ditur Ruzniç i cili vuri në dukje se në rajon kanë ardhur emigrantë më shumë se kapaciteti që kantoni mund të përballojë.

“Faktorë të tillë si reagimi i popullatës së rajonit, pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) dhe largimi i emigrantëve të infektuar me virus, e bëri të nevojshme marrjen e masave të reja dhe se kjo ishte kusht që popullata e rajonit të marrë pak frymë lirisht”, tha Ruzniç.

Pasi tha se emigrantët e parregullt që hyjnë në BeH nga kufijtë lindorë lihen në kufirin e kantonit pasi kalojnë në mënyrë të organizuar në RS, Ruzniç shtoi se pas masave të zbatuara prej disa ditëve janë vërejtur disa përmirësime në terren.

Ai rikujtoi se që në vitin 2015 është bërë paralajmërim për “valën e emigrantëve” për BeH-në dhe se shteti ka pasur 3 vite kohë që të përgatitej për këtë. Ruzniç nënvizoi se gjatë këtij procesi nuk është bërë asgjë dhe se kriza e emigrantëve që prej vitit 2018 ka ndikuar në BeH.

Në vitin 2018 në kanton kanë ardhur 24 mijë emigrantë, në vitin 2019 kanë ardhur 49 mijë dhe këtë vit deri më tani 30 mijë emigrantë, informoi Ruzniç duke vënë në dukje se vitin e ardhshëm mund të arrijë në 70 mijë numri nëse nuk merren masat e nevojshme për këtë shifër që rritet vazhdimisht.

Edhe në mesin e emigrantëve ka të nfektuar me COVID-19

Ministrja e Shëndetësisë së USK, Nermina Cemaloviç ka njoftuar se në kampin e emigrantëve “Bira” janë 5 emigrantë të prekur me COVID-19 dhe se njëri prej tyre është larguar nga spitali ndërsa të tjerët vazhdojnë trajtimin.

Emigrantët nuk e kuptojnë seriozitetin e virusit, tha Cemaloviç, e cila shtoi se “Ata kanë vetëm një qëllim dhe ai është të kalojnë kufirin për në BE. Ne mund të kontrollojmë sadopak situatën shëndetësore të atyre që qëndrojnë në kamp”.

Cemaloviç vuri në dukje se për shumë herë u kanë përcjellë zyrtarëve përkatës të shtetit se kampet e emigrantëve “Bira” dhe “Miral” duhet të mbyllen dhe se në këto dy kampe ndodhen rreth 150 fëmijë të pashoqëruar nga nëna ose babai.

Barra e krizës është vetëm mbi një kanton dhe tashmë shteti duhet të gjejë një zgjidhje ndaj kësaj, theksoi Cemaloviç, e cila shtoi se emigrantët jashtë kampeve nuk mund t’i kontrollojnë dhe se numri i këtyre personave është mbi 3.000.

Emigrantët nuk e kuptojnë situatën

Ndërkohë, emigrantët e parregullt që kalojnë nëpër shumë kufij deri në BeH, përjetojnë habinë që kanë mbetur të bllokuar në mesin e kufijve të entiteteve të cilët janë por nuk ekzistojnë fizikisht.

Emigrantët thonë se nuk duan të qëndrojnë në BeH dhe se fillmisht duan të shkojnë në Kroaci dhe më pas në vendet e BE-së. Ata kanë vështirësi që të kuptojnë sistemin kompleks politik të BeH-së.

Në përgjithësi emigrantët hyjnë në BeH nëpërmjet Serbisë dhe në mënyrë të organizuar ata kalohen nga entiteti i RS dhe më pas lihen në kufijtë e USK i cili është një prej 10 kantoneve brenda Federatës së BeH-së.

Anëtari serb i Këshillit të Presidencës së BeH-së, Milorad Dodik më parë ka thënë shumë herë se nuk do të lejojnë kampe të emigrantëve brenda kufijve të RS.

Nga 7 kampet që ndodhen në vend 5 prej tyre janë brenda kufijve të USK.

Struktura komplekse politike e Bosnjë e Hercegovinës

Marrëveshja e Paqes së Dejtonit e cila i dha fund luftës në BeH që ndodhi në vitet 1992-1995, ka sjellë bashkë edhe një strukturë komplekse politike.

Në BeH e përbërë nga dy entitete Federata e BeH-së dhe RS si dhe nga rajoni autonom Brçko, bëhet e ditur se brenda Federatës së BeH-së ndodhen 10 kantone.

Çdo kanton dhe entitet ka qeverinë dhe institucionet e tij ndërsa në nivel shtetëror ka një qeveri të ndarë dhe në nivelin më të lartë ndodhet Këshilli i Presidencës së BeH-së i cili përbëhet nga anëtarë boshnjakë, kroatë dhe serbë.

Kjo strukturë komplekse ka shkaktuar që në vend të ndodhin shumë herë kriza dhe kompleksitete të kompetencave.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit