
Studentja e Departamentit të Fizikës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ardiana Bushi është pranuar në CERN, që njihet si njëri nga laboratorët më të mëdhenjë në botë për fizikë nukleare.
Lidhur më këtë, studentja Bushi ka treguar se dëshira për të qenë pjesë e këtij laboratori ka qenë e kahershme, ndërsa tani ajo së shpejti do t’i praktikojë në po këtë laborator njohurit e mësuara nga Univerziteti i Prishtinës.
“Këtë program e kam parë që nga viti i parë kur kam filluar studimet. Pra, gjithmonë kam pasur dëshirë të jem pjesë e CERN-it, pasi që është ëndërr e çdo fizikani që së paku një herë në jetën e tij profesionale të jetë pjesë e këtij laboratori dhe të punojë në të”, rrëfen ajo, shkruan UP.
Me tutje, ajo tha se aplikimi në këtë laborator ka qenë i vështirë duke pasur parasysh kushtet aktuale në Kosovë.
“Procesi i aplikimit në këtë program nuk është edhe aq i lehtë, pasi që kërkohen shumë detaje rreth përvojës në mbajtjen e eksperimenteve shkencore, për të cilat në Kosovë ka kushte minimale”, thotë Ardiana.
Ndryshe, Bushi është zgjedhur në mesin e 1424 aplikantëve nga e gjithë bota.


