Takimi i parë i tij me Muhamedin ﷺ (Hadithi i Abdullah ibn Selamit)

Mos i humb

Abdullah ibn Selami tregon: Kur erdhi i Dërguari i Allahut ﷺ  në Medinë, njerëzit shpejtuan kah ai dhe thoshin: I Dërguari i Allahut ka ardhur, i Dërguari i Allahut ka ardhur. Atëherë unë shkova me njerëzit për ta parë atë. Duke ia analizuar fytyrën e të Dërguarit të Allahut ﷺ  e kuptova se fytyra e tij nuk është fytyrë gënjeshtari…”[1]

Shikoni vëllezër, Abdullah ibn Selami ishte prej dijetarëve nga radhët e hebrenjve. Ne e dimë se njeriu me përvojë i njeh njerëzit e i njeh gjërat. Dhe kjo është në secilën zanat; Ai që merret me ari, me lehtësi e dallon arin e mirë prej të keqit.

Po ashtu ai që i njeh njerëzit, i dallon njerëzit. Abdullahu ishte njeri që kishte njohuri rreth Pejgamberëve dhe shpalljeve. Kështu që ai ende pa folur fare me Pejgamberin ﷺ , ende pa jetuar me të , ende pa e dëgjuar ndonjë pjesë të Kuranit, thjeshtë me një shikim, e njohu se ky është njeri i sinqertë, njeri që nuk gënjen.

Kështu ishte fytyra e Pejgamberit ﷺ , në fytyrë vërehej se është i sinqertë (sadik), në vepra shihej se është i sinqertë, në edukatë po ashtu vërehej sinqeriteti i tij. I tëri ishte kështu, vetëm dritë, vepra të mira dhe sinqeritet.

Shikoni, kishte sahabe që e njohën Pejgamberin ﷺ  kohë të gjatë para Islamit, sikurse Ebu Bekri. Ebu Bekri e kishte të lehtë që t’i besojë, sepse e njihte me kohë dhe e dinte se ky është njeri besnik (emin), porse Abdullah ibn Selami, me një shikim, ia analizoi fytyrën dhe i besoi.

Kështu është puna e njerëzve; disa e pranojnë Islamin menjëherë, me një apo dy argumente. Por ka prej tyre që ju duhet vite të tëra, e libra të shumtë, me qindra argumente dhe prapë vonohet që t’i përgjigjet Zotit të vet.

Kalimi i jonë mbi urën e Siratit, e cila është e vendosur mbi Zjarr, do të jetë, sipas veprave tona;

Ai që është përgjigjur shpejt ndaj urdhrave të Allahut, e kalon shpejt urën e Siratit.

Ndërsa, i ngadalshmi në urdhrat e Allahut, do ta kalojë ngadalë edhe urën e Siratit, e ndoshta edhe bie në Zjarr.

Shikojeni Abdullah ibn Selamin, po thotë: Njerëzit shpejtuan kah ai. Edhe ky menjëherë shkoi me ta, thjeshtë për ta parë e për të dëgjuar prej tij. Mos të më ik ky rast pa dëgjuar prej tij.

Ky është kërkimi i të vërtetës, pra të shkoj kah e vërteta.

Njerëzit kanë nevojë shumë të madhe për mesazh hyjnor, për udhëzim të përjetshëm. Për këtë arsye Abdullahu nuk qëndroi i pa interesuar, larg Pejgamberit ﷺ .

Nuk ka këtu në çështjen e fesë: ‘Nëse do me fe, por bënë edhe pa fe!’

Nuk janë të njëjta këto dy gjëra ‘me apo pa fe!’

Kështu ne e mohojmë Dëshirën e Allahut. Ai kërkon prej neve t’i bindemi, e ta adhurojmë, ndërsa ka prej neve që thotë, bon edhe pa fe, bon edhe pa Zot! Allahu na ruajttë!

Edhe Abdullah ibn Mesudi, sahabiu i njohur, Pejgamberin ﷺ  e cilësoi me këto cilësi: (Sadik, mesduk) i sinqerti në vete dhe Allahu ia ka vërtetuar këtë sinqeritet, se ai vetëm të vërtetën e thotë.

Abdullah ibn Mesudi e tha këtë, në hadithin e njohur i cili flet për etapat e krijimit të njeriut, për fryrjen e shpirtit në embrion. Shikojeni këtë bindje dhe këtë nënshtrim (istislam) të Abdullah ibn Mesudit, këto gjëra për Abdullah ibn Mesudin ishin gjëra të fshehta (gajb), porse i besoi Pejgamberit ﷺ , sepse e dinte se ai e thotë vetëm të vërtetën.

Tani pas 14 shekujve ka ardhur koha që na e vërteton këtë, na i vërteton këto faza të krijimit, ndërsa ata pa hamendje i besonin këtyre mrekullive edhe pse ndoshta nuk ua kapte mendja në atë kohë.

Pejgamberi ﷺ  na ka urdhëruar që ta flasim vetëm të vërtetën, e mos të gënjejmë: “Me të vërtetë, sinqeriteti shpie në mirësi, ndërsa mirësia shpie në Xhenet. Njeriu vazhdon të flasë të vërtetën, derisa të bëhet njeri i sinqertë. Ndërkaq, me të vërtetë, gënjeshtra shpie në shthurje, ndërsa shthurja shpie në Zjarr. Njeriu vazhdon të gënjejë, derisa të shkruhet tek Allahu gënjeshtar.”[2]

Po ashtu në tregti, vlen e njëjta gjë, Pejgamberi ﷺ  ka thënë: “Dy palët tregtuese janë të lira të ndryshojnë kontratën shitblerëse derisa të ndahen. Nëse tregohen të sinqertë dhe i sqarojnë gjërat mes vete, u jepet bereqet në tregti. Por, nëse i fshehin gjërat dhe gënjejnë, zhduket bereqeti në tregtinë e tyre.”[3]

Gënjeshtra është e keqe, por gënjeshtra në fe është edhe më e keqe. Pejgamberi ﷺ  ka thënë: “Ai që gënjen për mua qëllimisht, le të përgatitet për ulësen e tij në Zjarr.”[4]

Ne i dëgjojmë nganjëherë disa duke thënë: ‘Kurani thotë kështu?!’

Pa kurrfarë baze.

Shikoni në shkencën e hadithit, nëse një transmetues ka gënjyer njëherë në jetën e tij, për çështje të dynjasë, hadithi nuk i pranohet fare. Kështu është ruajtur feja, kështu është përhapur feja. Për këtë arsye njerëzit e duan fenë, sepse është ruajtur dhe është e pastër nga çdo lloj gënjeshtre.

Kur jemi tek shenjat e fytyrës që Abdullah ibn Selami e dalloi Pejgamberi ﷺ  se ishte i sinqertë, Allahu na tregon se feja është:

﴿صِبۡغَةَ ٱللَّهِ وَمَنۡ أَحۡسَنُ مِنَ ٱللَّهِ صِبۡغَةٗۖ ١٣٨﴾

“Ngjyrosje e Allahut, e kush ngjyros më mirë se Allahu…” (Bekare, 138)

Po pra, fenë e quajti ngjyrosje, sepse feja gjithsesi duhet të lejë gjurmë në jetën tonë, gjithsesi duhet të dallohemi me virtyte të larta.

Nuk bashkohen assesi dy ngjyra të kundërta; ngjyra e namazit dhe ngjyra e gënjeshtrës! Ngjyra e namazit dhe ngjyra e mashtrimit. Ngjyra namazit apo e xhamisë nuk bashkohet me ngjyrën e hajnisë.

Ngjyra e besimit në Allahun nuk bashkohet me ngjyrën e zinasë apo amoralitetit.

Allahu i Madhëruar në Kuran fenë e quajti “ngjyrë”, po ashtu “petk.”

Kështu që ai i cili ngjyroset dhe vishet me petkun e fesë, duhet t’i lejë ato gjëra që e njollosin apo që e zhveshin fenë.

Hutbeja e dytë:

Sinqeriteti: Nëse do të bësh ndonjë vepër të mirë, por nuk e bënë, mos u gëzo, por mërzitu; përse të iku kjo?!

Nëse do të japësh lëmoshë, apo ta ndihmosh dikë, apo ta gëzosh dikë, por nuk arrite ta bësh këtë, mundohu të ndjesh një keqardhje për këtë, e jo të gëzohesh për mos suksesin tënd.

Edhe në të kundërtën, mos u gëzo, për gjëra të këqija që deshe t’i veprosh, por nuk ke arritur t’i bësh. Sepse kështu ke mëkat edhe pse nuk e ke bërë, ngase nuk e ke lënë ti me vet dëshirë, porse nuk arrite ta bësh, ndërsa zemra  të thotë; ah sikur ta kisha bërë këtë!

I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që ia mësyn një vepre të mirë, por nuk e kryen, i shkruhet një e tillë, e ai që ia mësyn një vepre të mirë dhe e kryen, i shkruhet dhjetë deri në shtatë qindfish. Ndërsa ai që ia mësyn një vepre të keqe, por nuk e kryen, nuk i shkruhet, e nëse e kryen, i shkruhet.”[5]

Ky hadith tregon se ai që e lë mëkatin, por që ka mundësi të bëjë, ky ka shpërblim. Ndërsa personi i cili e lë mëkatin nga pamundësia për ta bërë dhe ndien keqardhje përse nuk arrit ta bëjë, këtij i shkruhet mëkat.

Përgatiti: Mr. Flamur Kabashi

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit