
Bashkia e Tiranës reagoi ndaj disa raportimeve në media, ku thuhet se ka propozuar vendosjen e një takse për ata që vijnë nga rrethet në kryeqytet, lajm ky i nxitur nga deklaratat e Veliajt se “të gjithë vijnë në Tiranë, shërbimet që ofton Tirana, kanë një kosto, e cila nuk llogaritet dot për banor por për përdorues”.
Ditën e sotme, Bashkia ka sqaruar se Erion Veliaj nuk ka kërkuar taksim, por trajtim ndryshe nga ndihma e qeverisë për Tiranën, duke e përllogaritur atë jo në bazë të banorëve, por të përdoruesve ditorë.
Por në këtë reagim-sqarues të Bashkisë nuk mungojnë as sulmet ndaj medias edhe pse deklarata e Veliajt, linte vend për këtë interpretim. Bashkia e quan keqkuptimin “të qëllimshëm”.
DEKLARATA:
“Në dëgjesën e djeshme në Komisionin Parlamentar të Ligjeve për projekt-buxhetin e vitit 2020, i ftuar edhe në cilësinë e kryetarit të Shoqatës për Autonomi Vendore, kryebashkiaku Erion Veliaj hodhi idenë për një ligj të veçantë për Tiranën, siç e kanë edhe kryeqytete të tjera në Europë (Roma apo Prishtina psh), që Tirana të trajtohet ndryshe nga grantet që qeveria jep për bashkitë.
Pra, ndihma e qeverisë për Tiranën të mos llogaritet në bazë të banorëve, por të përdoruesve ditore të qytetit, duke qenë se në Tiranë merr shërbime e gjithë Shqipëria, e jo vetëm banorët e Tiranës.
Por, kjo deklaratë u keqkuptua qëllimshëm nga disa media.
Ndaj, Bashkia e Tiranës gjen rastin të sqarojë qytetarët e saj dhe opinionin publik, se të gjitha lajmet për vendosjen e një takse për qytetarët që vijnë në Tiranë janë të PAVERTETA dhe një FAKE NEWS i sajuar nga pronarë mediash gjobëvënëse dhe keqinformuese!
Dy gjëra janë të sigurta: Nuk do të paguhet asnjë taksë në Tiranë nga jo-rezidentët dhe nuk do të paguhet asnjë “gjobëvënie” nga kryetari i Bashkisë për median që gjeneroi histerinë e radhës!”


