Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, i është përgjigjur ambasadorit të BE, Luigi Soreca, i cili tha se çështja e Teatrit Kombëtar është delikate dhe duhet trajtuar me kujdes.
I ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24, ish-deputeti Bumçi deklaroi se në çështjen e teatrit nuk ka asgjë të ndërlikuar, mjafton që teatri i ri të ndërtohet në një hapësirë tjetër. Sipas tij, vetë shqiptarët duhet t’i zgjidhin këto probleme, pasi ambasadorët nuk kanë asnjë rol.
“Pse ka rëndësi deklarata e tij apo e ndonjë ambasadori tjetër. Para një jave mbaroi mandatin dhe u largua ambasadorja gjermane, kështu do të ndodhë edhe të tjerët. Ambasadori nuk ka asnjë rol, e vërteta është a mund ta zgjidhim ne shqiptarët këtë punë. Ka vende plot për të ndërtuar teatër. Pse fjalët e një ambasadori, çfarë ka të ndërlikuar këtu”, tha Bumçi.
Më tej, ai vijoi me akuzat e forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke u shprehur se e ktheu Parlamentin në noter për t’i dhënë 8500 metra katror një biznesmeni të lidhur me të dhe për të shembur teatrin.
“Rama e ktheu Parlamentin në noter për t’i dhënë 8500 m2 një biznesmeni të lidhur me të. Kjo është vjedhje me ligj. Kjo u bë pa tender, nuk u bë as ankand. Parlamenti vendosi emrin e personit që do të merrte këtë hapësirë. Sot kemi një person që nuk pyet më për ligje, Kushtet, por bën çfarë të dojë”, u shpreh ish-deputeti.
A do prishet teatri?