Thaçi do të ftohet në Kuvend të sqarojë idenë e korrigjimit të kufirit

Mos i humb

Nisma e opozitës që para datës 7 shtator, të zhvillohet një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit në lidhje me dialogun që Kosova po zhvillon me Serbinë, po mbështetet nga një pjesë e shoqërisë civile, e cila përcjell nga afër punën e institucioneve.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile i bëjnë thirrje Kuvendit të Kosovës që të trajtojë çështjen e negociatave me Serbinë dhe sidomos paralajmërimet për korrigjimin e kufirit.

Rrjedhimisht, Kuvendit i kërkohet të ketë një rol më aktiv në procesin final të negociatave me Serbinë që pritet të zhvillohet nëpër raunde të caktuara në Bruksel, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Sipas tyre, Kuvendi duhet të hartojë platformën për dialog dhe të autorizojë ekipin negociator, duke e mbajtur atë përgjegjës për procesin.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë, se ky institut e mbështetë nismën e ndërmarrë nga opozita për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për dialogun Kosovë-Serbi.

Ai tha se si KDI fton të gjitha partitë politike parlamentare të mobilizohen për të mbledhë nënshkrimet e nevojshme për të thirrur sa më shpejt këtë seancë.

“Së fundi kemi bërë një thirrje drejtuar Kuvendit që të ketë një seancë të jashtëzakonshme, për shkak se pamë që një gjë e tillë nuk është në agjendën e Kuvendit dhe nuk po flitet për një çështje të tillë që partitë parlamentare të nxjerrin një rezolutë, e cila do të shërbente si platformë për dialog, dhe tani kur presidenti Thaçi i cili në kokë në vete është duke zhvilluar gjithë këtë proces të dialogut dhe flet për shkëmbim të territoreve”, tha Krasniqi.

“Tash më shumë se asnjëherë më parë, Kuvendi duhet ta thërrasë këtë seancë të jashtëzakonshme dhe të ndalojë këtë praktikë të presidentit, e cila në thelb është kundërkushtetuese që të bëjë dialog me një shtet tjetër për kufij”, theksoi ai.

Sipas tij, i vetmi institucion që duhet të aktivizohet sa më parë është Kuvendi i Kosovës, pasi që ky institucion edhe i ka të gjitha mundësitë për veprim.

Debatet publike të organizuara në këtë frymë nga shoqëria civile, jashtë Kuvendit, nuk mund të kenë ndikimin e duhur, thotë Krasniqi.

“Një problem kryesor që qëndron në gjithë ketë proces është mungesa e transparencës dhe nuk ka shumë informata për publikun se çka realisht është duke u diskutuar në procesin e dialogut në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Edhe drejtoresha e organizatës ‘Fol’, Mexhide Demolli-Nimani, tha për Radion Evropa e Lirë, se ideja e fundit e presidenti Thaçi, por edhe i gjithë procesi i bisedimeve politike mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë më transparent si për qytetarët, po ashtu edhe për Kuvendin dhe mekanizmat e tjerë shtetërorë./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit