Thaçi për dialogun: Kemi një rrethanë shumë të favorshme në adresën më të besuar

Mos i humb

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, “me qëllim të informimit, konsultimit dhe koordinimit për çështje të interesit shtetëror”, ka takuar të hënën ndaras krerët e partive kryesore në Kosovë (AA).

Në këtë takim të thirrur nga presidenti, nuk ka shkuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me arsyetimin se nuk ka qenë ditë e përshtatshme për t’u takuar, megjithëse, kreu i partisë me të cilën Kurti është në koalicion, Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Isa Mustafa, e ka pranuar thirrjen nga presidenti dhe janë takuar.

Të njëjtës thirrje, i është përgjigjur edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj si dhe partia Lista Serbe dhe përfaqësues të minoriteteve në Kuvend.

Presidenti Thaçi në konferencë për media i ka konsideruar të rëndësishme këto takime në të cilat tha se kanë folur “për hapat që do t’i ndërmarrim në të ardhmen e afërt në veçanti pas takimit që ka ndodhur në Shtëpinë e Bardhë”, midis tij dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq si dhe emisarin për dialogun Kosovë-Serbi të SHBA-së, Richard Grenell.

“U dakorduam si zakonisht që të kemi qëndrim të përbashkët në çështjet me rëndësi vitale për shtetndërtim. Konsolidimit të brendshëm dhe atë të jashtëm. Vlerësoj lartë kontributin e ish-kryeministrit Mustafa, kryetar i LDK-së, që gjithmonë ka luajtur një rol konstruktiv në çështje të shtetndërtimit, reformave dhe perspektivës euroatlantike”, tha Thaçi.

Ai gjithashtu tha se me liderin e opozitës, Kadri Veseli, ka theksuar nevojën për një qëndrim të unifikuar të opozitës dhe pozitës që është gurthemeli për realizimin e çështjeve të interesit të përbashkët.

Thaçi tha se sa herë që pala kosovare ka qenë e bashkuar, ka fituar, “edhe në Rambuje dhe në Vjenë; atje kemi fituar lirinë e vendit, në Vjenë pavarësinë dhe sovranitetin”.

“Tash kur e kemi një rrethanë shumë të favorshme në adresën më të besuar, të përjetshme dhe speciale, Washingtonin, SHBA-në, të cilën jo vetëm që e kemi në tavolinë (të dialogut Kosovë-Serbi), por është udhëheqëse e procesit, atëherë mendoj se çdo zë që del ndryshe, atëherë është një zë në jopërputhshmëri me realitetin, me qasjen tonë për zgjidhje të shpejta, mirë dhe të implementueshme”, tha Thaçi.

Thaçi tutje tha se Bashkimi Evropian (BE), me ndërmjetësimin e së cilit është zhvilluar dialogu teknik Kosovë-Serbi në Bruksel, tha se “sot është jounik, po e mbanë Kosovën të izoluar dhe të ndëshkuar që nuk po merr edhe vendim për liberalizimin e vizave për Kosovën”.

Sipas tij, BE fillimisht duhet të marrë vendim për liberalizimin e vizave për kosovarët, pastaj të mendojnë për marrjen e një roli në negociatat e Kosovës me Serbinë.

Për mospjesëmarrjen e tij në këtë takim, kryeministri Albin Kurti është përgjigjur duke thënë se sot ka qenë dashur që edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të marrë pjesë në seancën ku ka folur e dhunuara e luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman, si dhe ka thënë që “si kryetar i Vetëvendosjes nuk kam interes ta takojë presidentin, ndërsa si kryeministër do ta takojë pasi që ai t’i përfundojnë takimet me krerët e partive”.

Javën e kaluar ka qenë kryeministri Kurti që i ka bërë ftesë për takim presidentit Thaçi, por edhe ai s’i është përgjigjur kësaj ftese.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit