
Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Zyra Koordinuese në Prishtinë dhe Komuna e Ferizajt kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi në kuadër të projektit “Stimulimi i fermerëve me mekanizëm bujqësor dhe përkrahja e bujqësisë bashkëkohore”.
Në këtë rast, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, falënderoi shtetin e Turqisë që ka përzgjedh Komunën e Ferizajt në investimin e mekanizmave bujqësor. Sipas tij, ky investim nga TIKA është si rezultat i miqesisë mes Kosovës dhe Turqisë.
“Është knaqësi e veçantë që sot ata janë këtu. Ferizaj ishte një komunë e cila nuk ishte në hartën e projekteve dhe investimeve të TIKA-së, prandaj e falënderoj TIKA-në që e ka marr në konsideratë kërkesën tonë, mundësinë tonë për bashkëpunim. Sot, nënshkruam një marrëveshje, por pritet për të hapur perspektive edhe për marrëveshje të reja. Ky rezultat është si shkak i miqesisë mes dy shteteve mike. Turqia ka qenë dhe vazhdon të jetë mbështetese për Kosovë si dhe agjencia shtetërore turke TIKA”, tha Aliu.

Ndër të tjera, Aliu bëri të ditur se me nënshkrimin e këtij memorandumi do të hapen vende të reja pune si dhe do të bëhet sigurimi i ushqimit.
Me tej, kryetari i Ferizajt theksoi se edhe në vazhdim pritet bashkëpunimi me TIKA-në edhe në fusha të tjera.
“Projektet që kanë të bëjnë me prodhimtari është një mundësi që të kemi vende të reja pune, por mbështetja e prodhimtarisë në fushën e bujqesisë është edhe sigurim i ushqimit që ne e konusmojmë cdo ditë. U dakorduam me Burakun që ne të mbeshtesim këto fusha, por sigurisht që TIKA do të jetë edhe me projekte tjera në Ferizaj. Për projektet e së ardhmes do të flasim kur të jenë konkrete sikur kjo e sotmja. Ne e kemi dorëzuar edhe një listë të kërkesave të cilat pritën të pranohen nga TIKA për mbështetjen e organizatave të caktuara në fusha të ndryshme”, ka thënë ai.

Ndërsa, Kryeshefi i Agjencisë turke TIKA, Hasan Burak Ceran, theksoi se prioritet për TIKA-në është rritja e punësimit dhe prodhimtarisë.
Për me tepër, Ceran uroj që projekti në fjalë të jetë në të mirën e qytetarëve të Ferizajt.
“Sot gjendemi në Ferizaj duke nënshkruar një marrëveshje me mekanizëm bujqësor. Për neve është prioritet rritja e punësimit dhe prodhimtarisë. Në këtë aspekt kemi dashur që të jemi të drejtpërdrejt të kemi një bashkëpunim me Komunën e Ferizajt. Uroj që ky projekt të jetë në të mirën e qytetarëve të Ferizajt”, tha kryeshefi i TIKA-së Ceran./KosovaPost/



