TIKA pajis me inventar Qendrën e Shoqatës Autizmi në Prishtinë!

Mos i humb

Në kuadër të programit për përmirësimin e infrastrukturës fizike të organizatave të autizmit në Kosovë, në Prishtinë u inaugurua të martën “Projekti i Pajisjes me Inventar dhe Instalimi i Dhomës Sensorike në Qendrën e Shoqatës Autizmi”, realizuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Ceremonia e përurimit të këtij projekti u realizua në praninë e ambasadores së Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, koordinatorit të TIKA-s në Kosovë, Hasan Burak Ceran, kryetarit të shoqatës Autizmi, Cenë Krasniqi, si dhe mësuesve, prindërve e nxënësve.

Në fjalën e rastit, ambasadorja Kılıç shprehu gëzimin që ishte e pranishme në hapjen e një projekti shumë të rëndësishëm në fushën e shëndetësisë dhe arsimit.

Ajo theksoi se ndjejnë krenari me këtë projekt të realizuar nga TIKA për të kontribuar në arsimimin e fëmijëve që marrin shërbime nga kjo qendër.

“I gjithë qëllimi ynë është të ofrojmë kontribut dhe të japim mbështetje edhe ne, në mënyrë që kosovarët, duke filluar nga fëmijët dhe të rinjtë, të përfaqësohen si individë dhe të jenë pjesë e shoqërisë në të cilën jetojnë. Ne, me TIKA-n dhe institucionet tjera, do të vazhdojmë që të jemi pranë dhe të përqafojmë gjithashtu pjesët tjera të shoqërisë të cilët po presin mbështetje, me projekte në fusha të ndryshme”, u shpreh ambasadorja Kılıç.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, duke falënderuar shtetin e Turqisë dhe TIKA-n për ndihmën e vazhdueshme që ofrojnë për zgjidhjen e problemeve sociale në Kosovë, tha se kjo qendër “është vetëm një paralajmërim” për financimin e përbashkët që do ta realizojnë me TIKA-n, për një qendër të komunës për fëmijët me autizëm dhe sindromën down.

“Kjo qendër do të jetë bashkëfinancim i Komunës së Prishtinës, TIKA-s, shoqatave për sindromën down dhe shoqatave të autizmit dhe do të ofrojë shërbime, të cilat në shumicën e rasteve, po e quaj, prindërit nuk kanë mundësi ose që t’i paguajnë ose t’i gjejnë në institucionet tona publike dhe shtetërore”, tha Ahmeti.

Kryetari i Shoqatës Autizmi, Krasniqi, falënderoi TIKA-n dhe popullin turk për këtë kontribut duke thënë se për prindërit e fëmijëve me autizëm është shumë domethënëse çdo ndihmë, qoftë nga aspekti material, qoftë nga aspekti psikik.

“Këtu ka ardhur menjëherë në ndihmë edhe TIKA me ndihmën e popullit turk dhe i kanë financuar me një buxhet mjaft të lartë pajisjet specifike duke e pasur edhe dhomën integruese, ku thjesht iu ndihmon shumë këtyre fëmijëve”, tha ai.

Pjesëmarrësit me këtë rast vizituan qendrën e Shoqatës Autizmi dhe panë nga afër pajisjet e ofruara nga TIKA.

Kujtojmë se në Qendrën e Shoqatës Autizmi, e cila shërben në një kat të Qendrës së Mjekësisë Familjare në lagjen “Arbëri” të Prishtinës, marrin shërbim 50 fëmijë dhe aty punojnë 18 terapistë. Organizata është themeluar me qëllim të zhvillimit të shkathtësive dhe potencialeve të fëmijëve me autizëm, integrimit të tyre në shoqëri dhe rritjes së vetëdijes në nivel qeveritar dhe joqeveritar lidhur me autizmin dhe shërbimet e nevojshme./Mesazhi/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit