“TIMS”, Salianji: PS, barrikadë kundër hetimit parlamentar

Mos i humb

Kryetari i Komisionit Hetimor për trajtimin e të dhënave në sistemin TIMS, Ervin Salianji, ka deklaruar ditën e sotme se PS po barrikadon hetimin parlamentar për të mbrojtur një grup kriminal që është vendosur qëllimisht në polici për të ndërhyrë në sistem.

Sipas Salianjit, nënkryetari Toni Gogu thotë që komisioni nuk duhet të bëjë kërkesa për informacion.

“Sot u bëmë përsëri dëshmitarë të një ngjarje, ku nënkryetari i këtij komisioni thotë që ky komision hetimor nuk duhet të bëjë kërkesa për informacion. Është i qartë dhe i kristalizuar shqetësimi që ka PS dhe qeveria dhe barrikadimi që po i bëjnë PS dhe qeveria hetimit parlamentar për të mbrojtur një grup të pretenduar kriminal, i cili është vendosur qëllimisht në pozicionet më të rëndësishme të Policisë së Shtetit për të ndërhyrë në sistemin TIMS. Ndërhyrja në sistemin TIMS është e vërtetuar tanimë me akt-ekspertim dhe për këtë kemi një person të arrestuar”

Sipas Salianjit, sot komisioni duhej të ishte në kushtet e emergjencës për të bërë një hetim parlamentar të shpejtë. Por ai theksoi se socialistët kërkojnë që opozita të mos bëjë as kërkesa për informacion dhe madje të korrektojë ato të depozituara nga ekspertët.

“Pretendimi i PS është që ne nuk duhet të dërgojmë kërkesa për informacion. Kam depozituar de kërkesat për informacion të konceptuara nga ekspertët e komisionit dhe të firmosura nga unë si kryetar i këtij komisioni kërkesat drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, ministrit të Brendshëm, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Autoritetit Kombëtar të Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Drejtorit të përgjithshëm të AMP, drejtores së SHISH dhe drejtuesit të SPAK. PS kërkon që ne të mos bëjmë as kërkesa për informacion, por madje të korrektojë kërkesat e depozituara nga ekspertët”, tha ai.

Thirrja e Salianjit ishte për administratën e Kuvendit që të dërgojë kërkesat për informacion drejtuar institucioneve.

“Administrata të depozitojë dhe dërgojë sot kërkesat për informacion drejtuar institucioneve. Ka një vendim të ndërmjetëm të komisionit që është i detyrueshëm për tu zbatuar dhe çdo abuzim përbën shpërdorim detyre në rastin më të mirë, dhe në rastin më të keq bashkëpunim kriminal”, tha ai.

PS kërkoi anulimin e vendimit të marrë një mbledhje më parë lidhur me kërkesat për informacion drejtuar disa institucioneve shtetërore si Kryeministria dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DISK), me pretendimin se votimi është pa kuorum pasi jo të gjithë deputetët socialistë kanë qenë të pranishëm në momentin e votimit.

Pas kundërshtimeve nga kryetari i komisionit Ervin Salianji, anëtarët e PS kërkuan 5 minuta pushim dhe nuk u rikthyen në mbledhje.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit