Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njoftoi sot të gjithë besimtarët se namazi i Fitër Bajramit do të falet në sheshin “Skënderbej”, më 20 mars ora 06:30.
Sipas Komunitetit Mysliman programi i plotë i Fitër Bajramit nis në orën 06:00 dhe përfundon në 06:35.
Hapja e programit nis me leximin e Kur’anit nga imami i xhamisë “Et’hem Beu”, Elton Karaj Më pas kryetari i KMSH-së, Bujar Spahiu do të përshëndesë besimtarët dhe nënkryetari i KMSH-së, Lauren Luli do të mbajë një ligjëratë.
Faljen e namazit të Bajramit do ta prijë kryetari i KMSH-së, Bujar Spahiu, ndërsa Hutbeja e Bajramit do të mbahet nga Myftiu i Tiranës, Bilal Teqja.
Komuniteti Mysliman fton të gjithë besimtarët që brenda mundësive të pajisen me sixhade për të qenë sa më komod gjatë ceremonisë së faljes.
Komuniteti Mysliman i uron besimtarëve Fitër Bajramin. “Lusim Allahun t’jua ketë pranuar agjërimin, adhurimet dhe lutjet e këtij muaji të begatë”, shprehet KMSH.
Pas një muaji agjërimi dhe lutjesh, besimtarët myslimanë do të festojnë më 20 mars Fitër Bajramin.


DITA E PARË E FITËR BAJRAMIT
e premte, më 20 mars 2026
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton besimtarët dhe opinionin e gjerë se muaji i madhëruar i Ramazanit përfundon ditën e enjte, më 19 mars 2026.
Dita e parë e festës së Fitër Bajramit është të premten, më 20 mars 2026.
Manifestimi qendror për festën e Fitër Bajramit në Republikën e Kosovës do të mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Programi fillon në orën 05:03 me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të mbahet ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga kryeimami i KBI-së në Ferizaj, Ibrahim ef. Beqiri.
Namazi i Fitër Bajramit falet në orën 06:18, të cilit do t’i prijë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti.
Hytben e Fitër Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili do t’i drejtohet opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste.
Me rastin e festës së Fitër Bajramit, ditën e parë, më 20 mars 2026, Kryesia e BIK-ut, sipas traditës, organizon pritje urimi në selinë e saj nga ora 09:00 deri në orën 12:00.
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ua uron festën e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë, duke e lutur Zotin që t’i ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe ibadetet tona.
Me fat festa e Fitër Bajramit!