Tre argumentet e Presidentit për “Tarifat gjyqësore”

Mos i humb

Më 23 nëntor kreu i shtetit Ilir Meta ktheu ligjin e “Tarifave gjyqësore”, i cilësuar si ligji i parë i kthyer prej tij në këtë detyrë, një nismë kjo në kuadër të reformës në drejtësi.

Presidenti Meta jep argumentet e tij juridike për kthimin e ligjit, ku shprehet se ka një rritje drastike të tarifave, dhe se ligji duhej të shoqërohej bashkë me ligjin tjetër “Për ndihmë juridike”, për shtresat në nevojë.

“Së pari,niveli i tarifave, i parashikuar në këtë ligj, është bërë në mungesë të një studimi të thelluar dhe, në krahasim me tarifat e sotme, ka një rritje drastike dhe të menjëhershme të tarifave, gjë e cila paraqet rrezik të lartë për vështirësimin e aksesit në drejtësi për shtresat në nevojë”, thuhet në argumentet e z. Meta.

Sipas tij tarifat vlerësohen se nuk janë të përshtatshme për realitetin e vendit tonë dhe mund të sjellin cenim të aksesit në drejtësi për shtresat në nevojë. “Për këtë arsye, çmoj se ky parashikim në këtë dispozitë ka nevojë për rivlerësim nga Kuvendi”, thotë ai.

Argumenti i dytë i Metës ka të bëjë me mekanizmat e parashikuara në këtë ligj. Këto mekanizma “për mbrojtjen e shtresave të pamunduara të shoqërisë për të përballuar tarifat e reja gjyqësore, nuk janë të përshtatshme. Mungojnë dispozitat e qarta qëgarantojnë mbrojtjen e nevojshme. Dispozitat e miratuara në këtë drejtim nuk garantojnë sigurinë ligjore”.

“Rezulton se mbrojtja dhe zbatimi i këtij parimi kushtetues nuk realizohet në kufijtë e kërkuar nga parashikimet e këtij ligji të miratuar, pasi nuk ofrohet garancia e nevojshme ligjore,si dhe nuk krijohet mekanizmi i përshtatshëm, në mënyrë që të gjitha shtresat e shoqërisë,pavarësisht të ardhurave, gjendjes së tyre ekonomike apo sociale, do të kenë mundësi të aplikojnë një të drejtë kushtetuese për t’iu drejtuar gjykatës”, shton më tej Presidenti.

Argumenti i tretë i Metës ka të bëjë me financimin e sistemit gjyqësor. “Së fundmi,parashikimet e këtij ligji nuk ndihmojnë në mënyrën e duhur për zgjidhjen e problematikës së financimit të pamjaftueshëm të sistemit gjyqësor, megjithëse ky ligj parashikon rritjen e tarifave në shërbim”, shprehet kreu i shtetit./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit