Tre muaj paraburgim për kosovarin që Serbia e arrestoi në kufi, mësohet identiteti i tij

Mos i humb

Tre muaj paraburgim i janë dhënë kosovarit i cili është arrestuar në kufirin mes Kosovës e Serbisë, e cili po mbahej në Beograd.

KTV-ja merr vesh se bëhet fjalë për Ramdan Malokun, i cili u arrestua në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”.

Lajmin e kanë konfirmuar familjarë të Malokut, të cilët kanë thënë se kanë kuptuar për këtë masë përmes avokatit të caktuar për të.

Sipas familjes, kjo nuk ka qenë hera e parë që Ramadan Maloku kalon nëpër Serbi, derisa ka thënë se ai nuk ka qenë ushtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, mbrëmë ka treguar se ka pranuar informacionin e konfirmuar zyrtar, që autoritetet në Serbi, kanë ndaluar edhe një shtetas të Republikës së Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se sjellja e autoriteteve serbe karshi shtetasve të Republikës së Kosovës mbetet e ngjashme me politikat e Millosheviqit dhe veprime të tilla i konsideron thjeshtë si një “gjueti shtrigash” ndaj shtetasve tanë.

“Autoritetet serbe para se të merren me shtetasit e shtetit fqinj – Republikës së Kosovës do të duhej të merreshin me shtetasit e tyre serb, të implikuar në krimet e luftës, kundër njerëzimit dhe krimeve tjera në Kosovë, gjë të cilën ata kanë dështuar ta bëjë”, thuhej në reagim të MPJ-së.

Kjo është dëshmia më e mirë se në Serbi nuk ka asnjë shenjë keqardhje, pendimi e as kërkim falje ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, sikurse nuk ka pasur as me qytetarët e vendeve tjera në rajon. Ministria e Punëve të Jashtme i bën thirrje fqinjit verior që urgjentisht të ndalë keqtrajtimet, maltretimet dhe shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës thërret Bashkimin Europian, shtetet e Kuintit dhe komunitetin ndërkombëtar, që urgjentisht t’i tërheqin vërejtjen shtetit fqinj ndaj sjelljeve të tilla dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të shtetasit të Republikës së Kosovës./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit