Tre qytetarë të vrarë dhe katër policë të plagosur në protesta, Trump kërcënon me ushtrinë

Mos i humb

Në SHBA kanë nisur të përdoren armët kundër forcave të policisë dhe protestuesve që prej javësh përplasen kundër dhunës dhe racizmit në vend. Presidenti Donald Trump kërcënon se do mobilizojë ushtrinë për të ndaluar trazirat dhe plaçkitjet.

Protestat kombëtare kundër dhunës ekstreme policore dhe racizmit në Amerikë vazhdojnë të mbajnë të tensionuar situatën në vend.

Një javë nga vdekja e afroamerikanit Xhorxh Floid, në mbi 70 qytete të ndryshme vijuan përplasjet e dhunshme mes turmave qytetare dhe forcave të rendit.

Por këtë radhë, plaçkitjet dhe bastisja disaditore e bizneseve dhe pronave private precipituan shpejt në përdorimin e armëve nga të dyja palët.

Katër oficerë policie raportohet se u qëlluan me armë zjarri nga demonstruesit në shtetin qendror të Misurit, duke përfunduar në spital por jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë në veri dhe juglindje të vendit, tre persona mbetën të vrarë nga ana e policisë dhe e në vazhdën e operacioneve të ndaljes së dhunës.

Presidenti Donald Trump kërcënoi qytetarët të ndalin revoltën përndryshe do përdorë ushtrinë për ta zgjidhur krizën më të re sociale.

“Viktimat më të mëdha të trazirave janë qytetarët paqedashës të komuniteteve tona të varfra. Prej ditësh kombi ynë është mbërthyer nga anarkistët profesionistë, nga bandat e dhunshme, zjarrvënësit, plaçkitësit, antifashistët. Tani që flasim po shpërndaj mijëra ushtarë të armatosur, personel ushtarak për ta ndalur këtë situatë.”

Kreu i Shtëpisë së Bardhë udhëzoi kryebashkiakët dhe guvernatorët të marrin nën kontroll gjendjen.

Ndërsa në qytetin e Mineapolisit, turmat nderuan me lule dhe simbole kujtimin e 46-vjeçarit Floid që humbi jetën javën e kaluar gjatë arrestimit policor.

Vdekja e tij risolli edhe njëherë në vëmendje marrëdhëniet e tendosura racore në vend.

Por vëllai i viktimës apeloi që këto probleme të mos zgjidhen me provokimin e trazirave, por me ndryshim politik.

“E kuptoj që jeni të mërzitur por dyshoj se nuk keni as gjysmën e mërzisë time. Im vëlla nuk rikthehet në jetë duke hedhur gjërat në erë, duke shkatërruar komunitetin. Ne duhet ta bëjmë zërin tonë të dëgjohet duke votuar, jo vetëm për presidentin por për çdo përfaqësues tonin. Të informohemi se për kë votojmë, sepse jemi të shumtë.”

Polici që shkaktoi vdekjen 46-vjeçarit afroamerikan Xhorxh Floid duke ia bllokuar qafën me këmbë, pritet të paraqitet javën e ardhshme para gjykatës.

Për të siguruar rendin, disa qytete amerikane po aplikojnë gjendje shtetrrethimi nga orët e mbrëmjes deri në orët e para të mëngjesit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit