Tregtarët e Belshit sërish në protestë, reagon bashkia: Ja pse e morëm vendimin

Mos i humb

Edhe këtë javë tregtarët në Bashkinë e Belshit kanë protestuar duke kundërshtuar spostimin e tregut nga periferia e qytetit drejt fshatit Marinëz rreth 5 km larg Belshit.

Sipas tyre, spostimi drejt tregut është i padrejtë pasi ndodhet larg zonës së banuar ndaj askush nuk shkon për të blerë.

Në anën tjetër është e pamundur që një numër i madh tregtarësh të zhvendosen atje pasi hapësira e vendit është e pamjaftueshme.

Nga spostimi i tregut preken të paktën 300 tregtarë. Ata pretendojnë se nuk do tërhiqen nga kërkesa e drejtë e tyre dhe se do t’i përshkallëzojnë protestat deri në bllokimin e rrugëve.

Tregtarët thonë se Bashkia e Belshit nuk është konsultuar me ta kur e ka marrë vendimin. Ndonëse tregtarët protestojnë pranë Bashkisë, ka reaguar sekretari i përgjithshëm, Mustafa Çarçiu.

Sipas tij zhvendosja e tregut është kryer me vendim të këshillit bashkiak. Ai sqaroi se zona ku ndodhej ishte improvizuar nga tregtarët për shitjen e produkteve dhe kjo bëhej në kushte skandaloze higjeno-sanitare.

Ndërkaq zhvillimi i tregtisë aty ishte jo vetëm burim aksidentesh, por edhe pengesë serioze për qarkullimin e automjeteve dhe ofronte një pamje të shëmtuar para turistëve që vizitojnë Dumrenë, numri i të cilëve në fundjavë shkon 2 mijë deri në 3 mijë turistë.

“Pretendimet e tyre nuk qëndrojnë dhe është e drejta e tyre që të protestojnë.

Aktualisht Bashkia me financim të qeverisë ka ndërtuar një treg bashkëkohor ku secilit i ofrohen kushte mjaft të mira dhe ku do të funksionojë gjithçka sipas rregullave.

Një pjesë e madhe e atyre që ushtronin aktivitetin e tyre në tregun e improvizuar tashmë janë zhvendosur në tregun e ri dhe ndjehen shumë mirë dhe klientët nuk i kanë të paktë.

Ndërkohë bashkia ka në plan që në një të ardhme të ndërtojë një markatë edhe në qytet.”, tha Çarçiu.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit