
Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar pas tritolit që iu vu makinës së prokurorit të Vlorës, Albert Kuliçi.
“Aktet e dhunës ndaj magjistratëve, qartësisht synojnë pengimin e funksionimit normal të sistemit të drejtësisë dhe cënojnë rëndë rendin dhe sigurinë publike. Për këto arsye, është i nevojshëm angazhimi maksimal i të gjithë organeve ligjzbatuese për vënien para përgjegjësisë të autorëve.
Prokurori i Përgjithshëm inkurajon të gjithë magjistratët të vazhdojnë të kryejnë me përgjegjësi dhe përkushtim detyrat e tyre kushtetuese dhe i siguron ata se do të kenë mbështetjen e tij maksimale. Është gjithashtu mjaft e rëndësishme që të gjithë të kontribuojnë në krijimin e një klime normaliteti dhe mbështetjeje ndaj institucioneve të drejtësisë, pasi kjo do të ndihmonte në mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës në Republikën e Shqipërisë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e kryeprokurorit Olsian Çela.


