Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se pasi të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, do të vendosë tarifa të larta për importet e të gjitha mallrave nga Meksika dhe Kanadaja si dhe tarifa shtesë për importet kineze.
Trump tha në Truth Social, platformën e medias sociale që ai bashkëthemeloi, se ”do të nënshkruaj një urdhër ekzekutiv për këtë qëllim në ditën time të parë në detyrë”.
”Më 20 janar, si një nga urdhrat e mia të para ekzekutive, unë do të nënshkruaj të gjitha dokumentet e nevojshme për të vendosur një tarifë 25% për të gjitha produktet që vijnë në Shtetet e Bashkuara nga Meksika dhe Kanadaja”, tha Trump, duke shtuar se tarifa do të mbetet në fuqi ”derisa droga, veçanërisht fentanyli, dhe të gjithë emigrantët e paligjshëm të ndalojnë këtë pushtim të vendit tonë!”.
”Si Meksika ashtu edhe Kanadaja kanë të drejtën dhe fuqinë absolute për të zgjidhur lehtësisht këtë problem”, shtoi Trump.
”Me këtë ne kërkojmë që ata ta përdorin këtë fuqi dhe derisa ta bëjnë, është koha që ata të paguajnë një çmim shumë të lartë!”, shtoi ai.
Presidenti i zgjedhur tha gjithashtu se tarifa shtesë prej 10% do të aplikohen për mallrat nga Kina derisa droga të ndalojë “rrjedhjen në vendin tonë, kryesisht përmes Meksikës”.