Trump zbut tonet ndaj Rusisë

Mos i humb

Menjëherë pas deklaratës së tij të ashpër ndaj Rusisë në lidhje me Sirinë, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka dalë me një deklaratë tjetër në Twitter duke zbutur tonet e tij.

“Marrëdhëniet tona me Rusinë janë më të këqija tani sesa që kanë qenë ndonjëherë, përfshirë Luftën e Ftohtë. Nuk ka arsye për këtë. Rusia ka nevojë ta ndihmojmë ekonominë e tyre, diçka që do të ishte shumë e lehtë për ta bërë, dhe ne kemi nevojë që të gjitha kombet të punojnë së bashku. Ta ndalojmë garën e armëve?”, ka shkruar Trump.

Vetëm 40 minuta para këtij postimi, Trump kishte përdorur tone të ashpra ndaj Rusisë në Twitter, duke dhënë mesazhin e një operacioni të mundur në Siri, pasi Rusia kishte njoftuar se do të mbrojë Sirinë nga sulmet raketore.

“Rusia zotohet se do të godasë çdo predhë që do të hidhet drejt Sirisë. Atëherë, bëhu gati Rusi, sepse predhat po vijnë, të mira, të reja dhe të zgjuara. Nuk duhet të jesh partner me një kafshë vrasëse me gaz, që vret popullin e vet dhe kënaqet nga kjo gjë”, është shprehur Trump në postimin paraprak në Twitter.

Ndryshe, zhvillimet vijnë pasi forcat e regjimit të Asadit goditën disa objektiva në qytetin Duma të rajonit të rrethuar të Gutës Lindore të shtunën, duke përdorur një gaz toksik, i cili la të paktën 78 civilë të vdekur.

Rusia vendosi veto ndaj një projekt-rezolute të paraqitur nga SHBA në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që parashihte hetimin e sulmit kimik brenda kornizave të OKB-së dhe krijimin e një mekanizmi për përcaktimin e përgjegjësve.

Ndërkaq, Nikki Haley, ambasadorja e SHBA-ve në OKB, ka thënë se “SHBA do të përgjigjet ndaj sulmit me armë kimike në Siri, pavarësisht nëse KS-OKB do të ndërmarrë masa”.

Presidenti amerikan Donald Trump më herët deklaroi se në tryezë gjendet edhe alternativa ushtarake, duke shtuar se edhe presidenti rus Vladimir Putin “do të paguajë çmim” nëse ka përgjegjësi mbi sulmin./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit