Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Tanju Bilgiç, iu përgjigj me shkrim pyetjes në lidhje me miratimin e vendimit të Gjykatës së Lartë Rajonale të Mynihut për neonazistin Andre Emminger, një prej të pandehurve në dosjen lidhur me NSU-në, nga Gjykata e Lartë Federale e Gjermanisë.
Tanju Bilgiç theksoi se vendimi i Gjykatës së Lartë Federale të Gjermanisë ka ngjallur shqetësime mjaft serioze.
“Ky vendim konsolidoi më tej perceptimin se racizmi dhe ksenofobia nuk marrin dënimin e merituar dhe se mungon vullneti për të zbardhur përmasat e vërteta të organizatës NSU. Edhe pse gjyqësori është natyrisht i pavarur, ky vendim jo vetëm që nuk e zbardhi plotësisht natyrën e serisë së vrasjeve të kryera nga një bandë raciste dhe nuk e lehtësoi ndërgjegjen e familjeve të viktimave, por dëmtoi edhe besimin tek gjyqësori”, nënvizoi ai në përgjigjen me shkrim.
“Ky vendim tregon se Gjermania duhet ta marrë më seriozisht kërcënimin e racizmit, ksenofobisë dhe islamofobisë”, përfundoi zëdhënësi i MPJ turke.
Më 11 korrik 2018, Gjykata e Lartë Rajonale e Mynihut e dënoi anëtarin e organizatës neonaziste, Andre Emminger, me 2 vjet e 6 muaj burg, por vendosi ta lirojë po atë ditë duke marrë parasysh periudhën e paraburgimit.
Gjykata e Lartë Federale e Gjermanisë la në fuqi të mërkurën vendimin e Gjykatës së Lartë Rajonale të Mynihut ndaj të pandehurit Emminger, kundër të cilit Prokuroria e Përgjithshme kishte kërkuar një dënim me 12 vjet burg “për bashkëfajësi” në veprën penale “vrasje në tentativë”.
Mes viteve 2000 dhe 2007, NSU-ja ka vrarë 8 emigrantë turq, një shtetas grek dhe një polic gjerman, por krimet mbetën të pazbardhura për një kohë të gjatë.
Pas një gjykimi pesëvjeçar, një gjykatë e Mynihut shqiptoi në 2018-n dënimin me burgim të përjetshëm për të vetmen anëtare të mbijetuar të celulës terroriste, Beate Zschape, si dhe u dha dënime të lehta 4 të dyshuarve të tjerë, të cilët kanë dhënë mbështetje për Ilegalitetin Nacionalsocialist.
Ky vendim u prit me pakënaqësi nga familjet e viktimave, të cilat thanë se gjykimi ka lënë shumë pyetje kyçe pa përgjigje. Familjet po ashtu kritikuan ashpër ish-kancelaren Angela Merkel (asokohe në pushtet) për thyerje të premtimit që ajo bëri në vitin 2014 për të zbuluar të gjitha faktet rreth krimeve të NSU-së.
Gjatë gjykimit pesëvjeçar, Zschape nuk pranoi të jepte ndonjë informacion mbi NSU-në dhe u përpoq të fajësonte dy kolegët e saj të vdekur.
Deri në vitin 2011, policia dhe shërbimet e inteligjencës gjermane hodhën poshtë çdo motiv racor për vrasjet duke trajtuar si të dyshuar familjet emigrante, të cilat merreshin në pyetje me dyshime të kota për lidhje me grupet mafioze dhe trafikantët e drogës.
Ndërkohë që zbulimet e fundit kanë treguar se agjencia e inteligjencës së brendshme të Gjermanisë kishte dhjetëra informatorë, të cilët kishin kontakte me të dyshuarit e NSU-së, zyrtarët këmbëngulin se nuk kishin informacione paraprake rreth celulës terroriste dhe rolit të dyshuar të saj në vrasje.
Autoritetet e shtetit federal qendror gjerman të Hesenit vendosën në 2018-n që të mbajnë sekrete për 120 vite disa dokumente duke nxitur kështu spekulime të mëtejshme rreth lidhjeve të mundshme të NSU-së. /trt


