“Turqia ka qëndruar gjithmonë pranë popullit shqiptar”

Mos i humb

 

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon mbështetjen për institucionet në Shqipëri, në fusha të ndryshme. Një nga projektet e fundit është edhe ai i rikonstruksionit dhe mobilimit të godinës së konviktit numër 6 në Qytetin Studenti në Tiranë, e cila është inauguruar sot.

Në ceremoninë e inaugurimit ka marrë pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Necip Özay Özütok dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Kryeministri Rama gjatë ceremonisë së inaugurimit tha se “ky 4 vjeçar do të jetë historik për arsimin e lartë”.

Duke vlerësuar se është bërë punë e konsiderueshme, Rama tha se rikonstruksioni i këtij konvikti është vetëm një shembull pozitiv i ndryshimit.

“Ideja është që të përfundojmë gjithë rikonstruksionin e godinave ekzistuese, ndërkohë që po përgatitet mes Ministrisë së Arsimit dhe bashkisë projekti i kampusit. Besoj që shumë shpejt do të fillojë puna edhe në konviktet jashtë Tiranës. Edhe ky konvikt është një shembull pozitiv si do bëhen të tjerat. Do të kemi standard në infrastrukturë, laboratorë, totalisht ndryshe”, tha kryeministri i Shqipërisë.

Ambasadori Yörük tha gjatë inaugurimit se ndjehet i kënaqur që ndodhet në hapjen e këtij konvikti, puna e të cilit është realizuar nga TIKA me udhëzimet e Presidentit tonë, Recep Tayyip Erdoğan.

“TIKA deri më sot ka rikonstruktuar monumentet historike në Shqipëri, shkolla, biblioteka, spitale, klinika shëndetësore. Ka kryer projekte për pyllëzimet dhe të zhvillimit rural. Ashtu si sot, kontribon në arsim dhe shkencë”, tha ambasadori turk, duke treguar se TIKA e cila është shndërruar në një markë e Turqisë në botë, në Shqipëri ka realizuar projekte të rëndësishme me sukses.

Ambasadori Yörük theksoi më tej se “Fëmijët e vëllezërve tanë shqiptarë janë edhe fëmijët tanë. Prandaj, ne si Turqi kemi qëndruar gjithmonë pranë popullit shqiptar, gjithashtu ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë”.

“Shpresoj që ky konvikt, hapjen e së cilës e bëjmë sot, do të kontribuojë në përgatitjen e të rinjve të suksesshëm që do ta çojnë Shqipërinë në një të ardhme të ndritshme”, u shpreh ambasadori i Turqisë në Tiranë.

Ndërsa kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se nga 40 konvikte është ndërhyrë në mbi 30.

Godina numër 6 e Rezidencës Studentore Universitare Tiranë me kapacitet prej 170 studentësh për djem është rikostruktuar dhe mobiluar plotësisht me mbështetjen e TIKA-s. Në godinë është ndërhyrë në të gjithë rrjetin hidrosanitar, tarracë, në rrjetin elektrik në ambientet e përbashkëta dhe në çdo dhomë, sallën e studimit, si dhe çdo dhomë është mobiluar.

TIKA që kur ka filluar angazhimin dhe aktivitetet e saj në Shqipëri, ka ofruar mbështetje dhe realizuar projekte në fusha të ndryshme si në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

 

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit