Turqia është përfshirë nga polemikat në ditët e fundit pas vendimit të presidentit Rexhep Tajip Erdogan për mbylljen e sallave të koncerteve dhe ndërprerjen e muzikës në klube në mesnatë.
Ky vendim që nuk është përkrahur aspak vjen teksa Erdogan i njoftoi kombit heqjen nga 1 korriku të kufizimeve kryesore anti-Covid.
Shumë qytetarë akuzojnë ekzekutivin për shfrytëzimin e pandemisë për të ndëshkuar stilin e jetesës.
“Ne jemi ofenduar” (#kusurabakiyoruz), është hashtag që është bërë viral në këto orë, duke përmbysur fjalët e kreut të shtetit. Protesta të menjëhershme erdhën gjithashtu edhe nga bota e muzikës.
“Nëse të shqetëson, mos e dëgjo”, komentoi këngëtarja Gaye Su Akyol në Twitter, duke iu drejtuar drejtpërdrejtë presidentit Erdogan.
“Muzika nuk shqetëson, por shëron shpirtrat e shqetësuar. Muzikantët nuk shqetësojnë, ata prodhojnë art”, shkroi në Twitter, këngëtarja Aylin Aslim.
Reagime të forta vijnë gjithashtu nga opozita, sipas të cilëve ekzekutivi “nuk po lufton me koronavirusin, por me stilin e jetës së njerëzve”.
Gjithashtu, reagime pati edhe nga bota e biznesit, që shpreh shqetësim në lidhje me kufizimet e ardhshme mbi oraret e shitjes së alkoolit.


