UNICEF kërkon 3,6 miliardë dollarë ndihmë për 48 milionë fëmijë

Mos i humb

Fondi i Emergjencës së Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) apeloi për ndihmë në vlerë prej 3,6 miliardë dollarëve për 48 milionë fëmijë të cilët janë në rrezik si pasojë e luftërave, fatkeqësive natyrore dhe krizave të tjera humanitare në 51 vende.

Në raportin e UNICEF-it për ndihmat ndaj fëmijëve në vitin 2018, bëhet thirrje për ndihmë prej 3,6 miliardë dollarëve për 48 milionë fëmijë nga 51 vende, duke filluar nga vendet e Lindjes së Mesme si Siria, Jemeni dhe Iraku.

Sipas raportit, apeli më i madh për ndihmë edhe këtë vit u bë për fëmijët sirianë. Bëhet e ditur se nga ndihma e kërkuar, 1,3 miliardë dollarë do të shpenzohen për të plotësuar nevojat e fëmijëve sirianë brenda Sirisë dhe në vendet fqinje si Turqia, Jordania, Libani dhe Iraku.

Manuel Fontaine, drejtori i gjendjeve emergjente në UNICEF, në konferencën për media të mbajtur në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, theksoi se luftimet në vendet si Mianmari, Republika Demokratike e Kongos, Iraku, Nigeria, Sudani i Jugut, Siria dhe Jemeni, vazhdojnë të ndikojnë në mënyrë negative në jetët e fëmijëve.

Duke pohuar që nevojat humanitare të fëmijëve në këto vende kanë arritur në një nivel kritik, Fontaine shtoi se, “Nëse bashkësia ndërkombëtare nuk ndërmerr masa urgjente për mbrojtjen e këtyre fëmijëve dhe sigurimin e ndihmave jetë-shpëtuese, fëmijët e këtyre vendeve do të përballen me një të ardhme të pashpresë”.

Ai poashtu vuri në pah që bota çdo ditë e më shumë po shndërrohet në një vend të rrezikshëm për fëmijët dhe theksoi se 84 për qind nga 3,6 miliardë dollarë do të shpenzohen për ndihma emergjente në krizat humanitare të dala si pasojë e ngjarjeve të dhunshme dhe luftimeve.

Theks në fëmijët e Arakanit

Gjatë përgjigjes ndaj një pyetje, Fontaine përmendi se vitin e kaluar kanë bërë thirrje për 3,3 miliardë dollarë, ndërkaq nga kjo shumë janë mbledhur vetëm 65 për qind, konkretisht 2,5 miliardë dollarë.

Duke theksuar që vitin e kaluar kanë dalë kriza të reja në Arakan të Mianmarit dhe në disa vende të Afrikës, Fontaine poashtu shtoi se do të vazhdojnë ndihmat për qindra mijëra fëmijë muslimanë të Arakanit të strehuar në Bangladesh.

Me fondin e kërkuar, UNICEF synon që të mundësojë furnizim me ujë për 35,7 milionë fëmijë, të sigurojë mundësi arsimimi për 8,9 milionë fëmijë, të mundësojë vaksinimin për fruthin për 10 milionë fëmijë, të mundësojë ofrimin e mbështetjes psikologjike për 3,9 milionë fëmijë dhe të trajtojë 4,2 milionë fëmijë të cilët kanë probleme serioze me kequshqyerjen akute./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit