Universiteti i Prizrenit nis kallëzim penal ndaj dy zyrtarëve, paralajmëron edhe ministrin e Arsimit

Mos i humb

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren ka bërë kallëzim penal ndaj Dëfrim Gashit- Kryeinspektor në Ministrinë e Arsimit dhe Bedri Muhadrit- kryesues i Këshillit Drejtues të UPZ-së, për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”.

Sipas një njoftimi nga UPZ, “Gashi në kundërshtim me ligjin ka tejkaluar kompetencat duke nxjerrë vendim për anulimin e vendimit të senatit për shkarkimin e Soner Yildirimit nga pozita e anëtarit të KD-së, me arsyetimin paragjykues dhe të paqëndrueshëm dhe të paargumentueshëm apo të provuar, enda pa u shkruar dhe nënshkruar vendimi i Senatit”. Krejt kjo, sipas UPZ-së, bëhet duke tejkaluar kompetencat apo autorizimet që ja jep ligji.

UPZ thotë se Inspektorati i Arsimit është jokompetent për të anuluar vendimet e Senatit dhe s’ka të drejtë t’ia marrë këtë autorizim. “Në këtë rast kemi cenim të autonomisë së universitetit, nga institucionet tjera jokompetente”, thuhet në njoftim.

UPZ thotë se ndaj Muhadrit ka ngritur kallëzim penal për shkak se rreth të njëjtin vendim, ka lëshuar shkresë në emër të KD-së, duke vepruar në kundërshtim me kompetencat dhe autorizimet që ka.

“Këshilli Drejtues është organ kolegjial dhe kryesuesi mund t’i paraqesë vetëm vendimet e organit dhe jo të lëshojë shkresa pa i konsultuar anëtarët e KD-së dhe pa u vendosur në këtë organ drejtues të UPZ-së”, thuhet më tej në njoftim.

Senati i UPZ-së në mbledhjen e fundit ka dënuar ndërhyrjet nga MASHT, që thotë se po rrezikojnë funksionimin e universitetit, duke ndaluar shpalljen e konkursit për personel akademik. Ky universitet ka paralajmëruar kallëzim penal edhe ndaj ministrit, Shyqiri Bytyqi.

“Ky qëndrim i ministrit të MASHT-it është shkelje flagrante e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe autonomisë së universitetit. Organet e universitetit janë në fazën e fundit për përpilimin e kallëzimit penal edhe ndaj ministrit të MASHT”, thuhet më tej në reagim./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit