Ushtria e Lirë Siriane (ULS) e përkrahur nga Forcat e Armatosura Turke ka çliruar fshatin Hammam i cili ndodhet në pjesën kodrinore në perëndim të Afrinit.
Gazetari i AA-së nga terreni, bën të ditur se forcat opozitare të ndihmuara nga ushtria turke, sot në ditën e katërt të operacionit “Dega e Ullirit” kanë shënuar një përparim në frontin perëndimor duke pastruar në tërësi elementet terroriste të PYD/PKK-së në fshatin Hammam si dhe në kodrat përreth.
Bëhet fjalë për një lokacion strategjik që terroristët e PYD/PKK-së e përdornin për të granatuar qarkun kufitar turk Reyhanli.
Forcat turke bashkë me ULS-në, aktualisht po avancojnë në drejtim të qendrës së Afrinit, ku kanë çliruar 14 pika.
Operacioni “Dega e Ullirit” në Afrin të Sirisë synon të krijojë siguri dhe stabilitet përgjatë kufijve turq dhe rajonit, si dhe të mbrojë popullin sirian nga shtypja dhe mizoria e terroristëve, ka njoftuar Shtatmadhoria e Turqisë.
Sipas Ushtrisë Turke, operacioni zhvillohet në kuadër të së drejtës së Turqisë bazuar në të drejtën ndërkombëtare, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të drejtat e vetëmbrojtjes sipas kartës së OKB-së dhe duke respektuar integritetin territorial të Sirisë.
Afrini ka qenë strehë e madhe për organizatën terroriste PYD/PKK që nga korriku i vitit 2012, kur regjimi i Asadit në Siri ia la qytetin organizatës terroriste pa luftë. /Rtv islam/


