VEPRAT QË SHLYEJNË MËKATET

Mos i humb

Gjëja që më së shumti e shpreson çdo musliman është që kur ta takojë Allahu, azze ue xhel, ta takojë me mëkate të falura dhe të shlyera dhe me vepra të mira të dyfishuara.

Prej urtësisë së Allahut, azze ue xhel, është krijimi i disa armiqve për njeriun, të cilët ia zbukurojnë njeriut mëkatet, ia lehtësojnë rrugën deri në veprimin e tyre, dhe e largojnë prej veprave të mira. Ata armiq janë: nefsi apo shpirti i njeriut i cili është fort i prirë për të keqe, shejtani dhe epshi.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Shpirti (i njeriut) është fort i prirë për të keqe, përveç atij që e mëshiron Zoti im.” (Jusuf: 53); “Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin”. (En-Naziat: 40-41); “Iblisi tha: “Më jep afat deri në ditën kur ringjallen njerëzit!” Allahu i tha: “Ti je nga ata që u është dhënë afati”. Ai tha: “Për shkak se Ti më flake tej, unë do t’u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë,e do t’u qasem atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta, e kështu Ti do të vëresh se shumica prej tyre nuk të janë mirënjohës!” Allahu i tha: “Dil prej andej i përbuzur dhe i përjashtuar! Pa dyshim, Xhehenemin do ta mbush me ty dhe me të gjithë ata që shkojnë pas teje”. (El-A’raf: 14-18); “A e ke parë ti atë që epshin e vet e ka marrë për zot? A do t’i bëhesh mbrojtës atij?” (El-Furkan: 43)

Prej mëshirës së Allahut për robërit e Tij është përgatitja e disa shkaqeve, ku me veprimin dhe praktikimin e tyre muslimanit i falen dhe i shlyen mëkatet e bëra. Ato shkaqe janë disa vepra dhe thënie të cilat Allahu i cekë në librin e Tij apo na i rrëfen Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, në hadithet e tij.

Disa prej këtyre shkaqeve janë:

1 Besimi në Allahun, azze ue xhel, njësimi i Tij dhe vepra e mirë

Allahu, azze ue xhel, thotë“Atyre, që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, me siguri që do t’ua shlyejmë të këqijat dhe do t’u japim shpërblim më të mirë se puna që kanë bërë.” (El-Ankebut: 7)

Ebu Hurejra, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Hapen dyert e Xhenetit ditën e hënë dhe ditën e enjte dhe në këto ditë i falet çdo robi që s’i bën Allahut shirk”.

2- Largimi prej mëkateve të mëdha

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Në qoftë se ju u shmangeni gjynaheve të mëdha, që ju janë ndaluar, Ne do t’jua falim gabimet tuaja të vogla dhe do t’ju shpiem në një vend të nderuar”. (En-Nisa: 31)

Ebu Hurejra, radijallahu anhu, na transmeton se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Pesë kohët e namazit, xhumaja deri në xhumanë tjetër, ramazani deri në ramazanin tjetër, i fshijnë mëkatet që janë ndërmjet tyre, për aq sa iu largohet mëkateve të mëdha”.

3– Pendimi i sinqertë

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe. Ndëshkimi do t’i dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar. Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (El-Furkan: 68-70)

Ibën Maxheh, Allahu e mëshiroftë, na përcjell prej Abdullah ibën Mesudit, radijallahu anhu, se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai që pendohet prej mëkatit është i njëjtë me atë që nuk ka mëkat”.

4- Istigfari (kërkimi i faljes)

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Kërko ndjesë prej Allahut! Se Allahu është Falës e Mëshirëplotë”. (En-Nisa: 106); “Çfarëdo mirësie që bëni për shpirtin tuaj, me siguri që do ta gjeni tek Allahu. Ajo do të jetë më e mirë dhe më e shpërblyer. Kërkoni faljen e Allahut, sepse Allahu është vërtet Falës i madh dhe Mëshirëplotë.” (El-Muzemil: 20)

Ebu Davudi, Allahu e mëshiroftë, na përcjell prej Zejdit, radijallahu anhu, se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush thotë: Estagfirullah el ledhi la ilahe il-la huve el hajju el kajjumu ue etubu ilejhi (Kërkoj faljen e Allahut, të Cilit i takon adhurimi me të vërtetë vetëm se Atij, të Gjallit përgjithmonë dhe Mbikëqyrësit të Përjetshmit dhe tek Ai pendohem), i falen atij mëkatet edhe në rast se ka ikur nga beteja”.

Muslimi, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij shënon një hadith kudsij prej Ebu Dherrit, radijallahu anhu, i cili thotë se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, transmeton prej Allahut, azze ue xhel, se ka thënë: “O robërit e Mi, ju gaboni gjatë ditës dhe natës, ndërsa Unë jam falës i gjitha mëkateve. Kërkoni falje prej meje dhe unë do ua fali”.

5- Abdesi

Muslimi, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij shënon një hadith prej Humranit, shërbëtorit të Othmanit, radijallahu anhu, i cili thotë: I solla Othmanit ujë për abdes dhe pasi që mori abdes më tha: Njerëzit i thonë disa hadithe për Pejgamberin, salallahu alejhi ue selem, që nuk e di se prej ku e kanë burimin, mirëpo unë e kam parë Pejgamberin, salallahu alejhi ue selem, që mori abdes ashtu siç mora unë, e pastaj tha: “Ai i cili merr abdes në këtë formë, i falen atij mëkatet e kaluara”.

6- Namazi dhe hapat e bërë për në xhami

Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij shënon një hadith prej Ebu Hurejres, radijallahu anhu, se i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “A dëshironi t’u tregoj për veprat që i shlyejnë mëkatet dhe i lartësojnë gradat e juaja? Të pranishmit thanë: Gjithsesi, o i Dërguar i Allahut. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tha: “Marrja dhe plotësimi i abdesit edhe atëherë kur është vështirë, bërja e hapave të shumta për në xhami, pritja e namazit në xhami pas namazit që ke falur në xhami. Kjo është fortifikatë”.

7- Lëmosha (Sadakaja)

Allahu, azze ue xhel, thotë: “T’i jepni lëmoshat haptazi, është gjë e mirë, por t’ua jepni ato të varfërve fshehurazi, është edhe më mirë dhe ju shlyen disa nga gjynahet tuaja. Allahu e njeh mirë çdo vepër që ju bëni” (El-Bekare: 271)

Tirmidhiu, Allahu e mëshiroftë, na shënon një hadith prej Muadhit, radijallahu anhu, se i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, i ka thënë: “A dëshiron t’i tregoj dyert e mirësisë? – Agjërimi është mbrojtje, ndërsa lëmosha e shuan mëkatin sikurse uji e shuan zjarrin.”

8- Haxhi dhe Umreja

Imam Nesaiu, Allahu e mëshiroftë, shënon një hadith prej ibën Abasit, radijallahu anhu, se i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Bëje vazhdimisht Haxhin dhe Umren, se ato ua shlyejnë mëkatet siç e largon zjarri ndryshkun nga hekuri.”

9- Sprovat dhe belatë

Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, shënon një hadith prej Ebu Hurejres se ka thënë: “Nuk e godet muslimanin asnjë lodhje, asnjë sëmundje, asnjë shqetësim, asnjë trishtim, asnjë vuajtje, dhe asnjë mjerim bile asnjë therë që therët prej saj, përveç se t’i fal Allahu me të prej mëkateve të tij”.

10- Agjërimi i Ramazanit dhe namazi vullnetar në këtë muaj

Buhariu dhe Muslimi shënojnë një hadith prej të Ebu Hurejres, radijallahu anhu, se i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai që agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë për shpërblim nga Allahu, i falen gjynahet që ka bërë”.

Buhariu dhe Muslimi po ashtu shënojnë një hadith të Ebu Hurejres, radijallahu anhu, i cili thotë se i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai që fal namazin e natës gjatë Ramazanit me besim dhe shpresë për shpërblim nga Allahu, i falen gjynahet që ka bërë”.

Dr. Emin ibën Abdullah esh Shekaui     

Nga arabishtja: Irfan JAHIU  

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit