Veseli dhe Haradinaj takohen me zv/kryeministrin slloven

Mos i humb

Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Republikës së Sllovenisë, Karl Erjavec, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë, u prit në takim nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.

Në një komunikatë nga Kuvendi i Kosovës thuhet se gjatë këtij takimi është diskutuar për raportet mes dy vendeve dhe mundësitë e avancimit të tyre në shumë fusha, veçanërisht në sferën ekonomike.

“Pasi ka njoftuar kryediplomatin slloven për zhvillimet në Kosovë dhe në Kuvendin e saj në veçanti, me fokus në agjendën evropiane si prioritet nacional, kryetparlamentari Veseli ka falënderuar atë për kontributin e vazhdueshëm të Sllovenisë në drejtim të fuqizimit të shtetësisë së Kosovës, zhvillimit ekonomik, si dhe për përkrahjen në rrugën e integrimeve euro-atlantike”, thuhet në njoftim.

Veseli po ashtu ka shtruar nevojën e intensifikimit të marrëdhënieve ndërparlamentare dhe vazhdimit të përkrahjes së Lubjanës zyrtare për Kosovën edhe në të ardhmen.

Kurse nga ana ministri i jashtëm slloven, Erjavec, ka theksuar se mbështetja e Sllovenisë për Kosovën nuk do të mungojë, si në sektorin ekonomik, ashtu edhe në realizimin sa më të suksesshëm të procesit të euro-integrimeve dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

Haradinaj: Kosova ruan një miqësi të mirë me popullin slloven

Erjavec është pritur në takim edhe nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj. Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës thuhet se Haradinaj gjatë takimit me Erjavec ka deklaruar se: “Kosova ruan një miqësi të mirë me popullin slloven dhe kjo miqësi duhet të vazhdojë”, duke theksuar se ekziston një klimë e mirë mes Kosovës dhe Sllovenisë për bashkëpunim në shumë fusha.

Haradinaj ka theksuar se Sllovenia është një ndër investitorët më të mëdhenj në vend dhe Kosova është e interesuar që ta vazhdojë këtë partneritet ekonomik, “duke e përmirësuar çdo herë e më shumë balancin e eksportit dhe importit me këtë vend”.

Haradinaj ka kërkuar vazhdimin e përkrahjes së Sllovenisë në planin ndërkombëtar. “Përkrahja juaj për njohjet e reja, anëtarësimin në INTERPOL, UNESCO, në procesin e integrimit euroatlantik ka domethënie të madhe për ne. Ne jemi një vend euroatlantik – Ky është destinacioni ynë”, ka thënë kryeministri i Kosovës.

Kryeministri Haradinaj poashtu ka nënvizuar se krijimi i ushtrisë së Kosovës me mandat kushtetues, nuk e ndryshon balancën e sigurisë në rajon, duke shtuar se do të kontribuoj në të.

Ndërsa, Erjavec, në takim ka shprehur gatishmërinë e vendit të tij për bashkëpunimin bilateral në fushën e ekonomisë dhe përkrahjen e Kosovës në rrugën e saj integruese.

Kujtojmë se Erjavec ndodhet në Kosovë me një ekip të afaristëve të cilët morën pjesë në Forumin Ekonomik Kosovë – Slloveni ku ishin të pranishëm afër 40 kompani sllovene të sektorëve të ndryshëm. Pas takimit me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, Erjavec mori pjesë edhe në ceremoninë e nënshkrimit të protokollit të Sesionit të Parë të Komisionit të Përbashkët Ekonomik Kosovë – Slloveni./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit