Vetëvendosje kërkon lirimin e Sadri Ramabajës nga burgu

Mos i humb

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar lirimin e të dyshuarit për terrorizëm, pjesëtar i organizatës “Syri i Popullit”, Sadri Ramabaja.

Vetëvendosje, përmes një reagimi dërguar mediave, thotë se në një kohë kur vetë sistemi i drejtësisë po flet për krizën në të cilën ndodhet nga ndërhyrjet politike të pushtetit dhe jo vetëm, sot bëhen gjashtë muaj nga kur veprimtarit politik dhe profesorit, Sadri Ramabaja i është ngritur aktakuzë dhe vazhdon të mbahet në paraburgim pa fakte e prova, por vetëm mbi supozime e trillime.

“Pikërisht se nuk ka prova ndaj Sadri Ramabajës, paraburgimi i tij po zgjatet duke zëvendësuar dënimin. Mbajtja e Sadri Ramabajës në paraburgim duhet të marrë fund. Ai ishte asambleist i Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe është ligjërues fakulteti. Burgimi i padrejtë e ndan nga aktiviteti, ligjëratat dhe studentët e tij”, ka thënë VV.

Subjekti politik të cili i takon Ramabaja thotë se “për të njëjtat bindje që u arrestua dekada më parë nga regjimi serb, e me të njëjtat akuza të rrejshme, ai po mbahet i arrestuar edhe sot, por këtë herë nga shteti për të cilin ai veproi gjithë jetën”.

“Gjyqësia e kontrolluar nga politika, ku kryeprokurori i përgjithshëm diskuton jozyrtarisht aktakuzën me Kryetarin e Kuvendit, e Kryeministri i përcakton afate për hetime dhe obligon prokurorin që të dorëzoj raport në Qeveri, ndërsa politikanë të akuzuar për krim të organizuar në rastin ‘Toka’ lirohen, nuk është gjyqësi e pavarur por gjueti ndaj të pafajshmëve e oponentëve, kurse mundësi për të korruptuarit e kriminelet me lidhje në pushtet”, thekson VV.

“Andaj, kërkojmë lirimin nga mbajtja peng padrejtësisht të veprimtarit dhe profesorit Sadri Ramabaja nga një sistem i kapur nga pushteti e i diskretituar tashmë edhe nga brenda”, përfundon VV./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit