Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi ngjarjen tragjike të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja gjatë seancës në sallën e gjyqit, duke theksuar se kjo ngjarje “dëshmon shkallën ekstreme të pasigurisë në vend”.
Sipas Berishës, “ekzekutimi në sallën e gjyqit i gjykatësit Kalaja është tregues i një krimi shtetëror” dhe nënvizoi se “shteti është zëvendësuar me narko-shtetin”.
Ai akuzoi procesin e reformës në drejtësi, duke thënë se “ka dështuar plotësisht reforma, për shkak të George Soros dhe sorosianëve të tjerë”.
Berisha vijoi duke deklaruar se “reforma në drejtësi ka zgjatur gjyqet”, ndërsa “dosjet e gjyqtarëve sot janë objekt i zhdukjes, njësoj si në kohën e diktaturës”. Ai përfundoi deklaratën, duke theksuar se “kurrë drejtësia jonë nuk ka qenë në gjendje dramatike siç është sot”.
Dje, më 6 tetor u ekzekutua në sallën e gjyqit Astrit Kalaja. Ai u vra nga një 30-vjeçar, për shkak të çështjes së një prone.