TIRANE– Të tjera detaje janë mësuar në lidhje me vrasjen e 29-vjeçarit Jurgen Duka, nga efektivi i policisë Arbër Sula, që është shpallur në kërkim.
Motivi i ngjarjes ka qenë banal. Gjithçka nisi për radhën se kush do të paguante në supermarket, debat që agravoi në përdorimin e armës.
Sipas dëshmisë së shokut të viktimës, Orges Drazhi, tashmë i arrestuar për moskallëzim krimi, Jurgen Duka ka tentuar t’i paguaj edhe pijet policit Sula, veprim që duket edhe përmes videos që u publikua dje.
Por kjo nuk është pritur mirë nga polici, që e ka marrë me idenë “nuk më plas mua, unë paguaj edhe pijet e tua”.
Viktima dhe autori nuk njiheshin me njëri tjetrin.
Ndërkaq efektivi Arbër Sula ishte me leje në Tiranë pasi do t’i nënshtrohej testit të drogës, pas vendimit të kryepolicit Gledis Nano. Testi nuk u bë për shkak të ngjarjes.
Vijon puna për kapjen e tij.


