Vuçiç para takimit me Thaçin: Pozicion i vështirë i Serbisë

Mos i humb

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në prag të takimit të sotëm me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, tha se pozicioni i Serbisë është i vështirë.

“Nuk më ofron rehati dhe nuk më pëlqen të bisedoj me Thaçin, por më mirë të bisedojmë njëqind vjet sesa të luftojmë një ditë. Kjo është puna ime. Paqja është e rëndësishme. Gjithçka tjetër nuk është për krahasim”, tha Vuçiç, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Thaçi dhe Vuçiç takohen sot në Bruksel në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, njëherësh ndërmjetësuese e dialogut, tha se pret nga dy liderët që të konfirmojnë gatishmërinë e tyre për të intensifikuar punën drejt arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve.

Edhe Thaçi tha të mërkurën, përmes një postimi në Twitter, se pret një takim të vështirë me Serbinë, porse të nevojshëm për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, ligjërisht të obligueshme, midis dy vendeve.

Në një takim në Alpbah të Austrisë në muajin gusht, Thaçi dhe Vuçiç kanë shpalosur publikisht idenë për ndryshimin e kufijve, si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis dy vendeve./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit