Xhaçka: Dyer të hapura për një rajon më të sigurt

Mos i humb

Pas zyrtarizimit të drejtimit nga Shqipëria të Ministerialit të Mbrojtjes së Evropës Juglindore (SEDM), në Tiranë u mbajt mbledhja e parë e Komitetit Drejtues Politiko-Ushtarak, që është pjesë e kësaj iniciative.

Pjesë e takimit me pjesëmarrjen e zyrtarëve të vendeve anëtare të SEDM ishte edhe ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, e cila në fjalën e saj ka theksuar se politika e dyerve të hapura shërben për një rajon më të sigurt.

“Politika e dyerve të hapura do t’i japë një frymëmarrje të re nismave rajonale. Zhvillimet në Ballkanin Perëndimor janë tregues i mirë se si ky bashkëpunim, me përfshirjen e NATO dhe Bashkimit Evropian mund të ndikojë në stabilitetin dhe ndërtimin e shoqërive moderne e paqësore”, është shprehur Xhaçka, thuhet në njoftimin nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë.

Ministrja Xhaçka, sipas njoftimit, nënvizoi rolin e Shqipërisë në integrimin euroatlantik të vendeve të rajonit, “si faktor kyç në zgjerimin e hartës së anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe një zë i fortë për sigurinë dhe stabilitetin në këto vende.”

Vendet anëtare të SEDM janë Shqipëria, Turqia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Bullgaria, Greqia, Italia, Rumania, Slloveni, Serbia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Ministeriali i Mbrojtjes së Evropës Juglindore paraqet një proces të integrimit dhe të bashkëpunimit në fushat e sigurisë dhe të mbrojtjes rajonale.

Krahas SEDM-it, gjatë vitit 2019, Shqipëria përmes Ministrisë së Mbrojtjes ka marrë drejtimin e Ministerialit të nismës SHBA – Karta e Adriatikut(A-5).

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit