Xhaferi: Në votim vihet konkluzioni, jo raporti i një komisioni parlamentar!

Mos i humb

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në takimin joformal, u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me seancën e ndërprerë të Kuvendit, në të cilën duhej të votohet për heqjen e imunitetit të deputetit Trajko Veljanovski.

Xhaferi theksoi se Kuvendi nuk mund të marrë një vendim duke u bazuar në kërkesën e gjykatës, por vetëm në bazë të konkluzave të Komisionit për çështje të Mandatit dhe Imunitetit.

“Konkluza duhet të vihet në votim. Komisioni dorëzoi një raport, por raporti dallon nga konkluza. Meqë ka një raport të dorëzuar nga Komisioni, unë kam detyrim ligjor të thirri seancë. Megjithatë, nëse do të kem para vetes një lëndë për të vepruar mbi të, varet nga propozim-konkluza. Unë nuk kam kompetenca që të kthej reportin e komisionit”, tha Xhaferi.

Ai shtoi më tej se përgjegjësia për një ikje të mundshme nga vendi të Trajko Veljanovskit, nuk duhet t’i takojë Kuvendit por gjykatave.

“Sipas ligjit, faji do të jetë i institucionit të Gjykatës. Unë nuk kam asnjë koment për pohimet mediatike të prokurores. Unë interpretoj ligjin për procedurë penale dhe aty qëndron qartë se si veprohet dhe kush, çfarë përgjegjësie ka”, tha Xhaferi.

Kujtojmë se prokurorja Villma Ruskovska, pas dështimit të deputetëve për t’i marrë imunitetin e deputetit Veljanovski, tha se faji për një arratisje eventuale do të jetë e deputetëve.

Komisioni i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për çështje të rregullores së mandatit dhe imunitetit nuk solli një vendim mbi kërkesën e Gjykatës Penale për heqje të imunitetit të deputetit të VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanovski, i cili më 27 prill të vitit 2017 drejtoi seancën e Kuvendit kur ndodhën zhvillimet e përgjakshme.

Për heqjen e imunitetit votuan katër anëtarë të Komisionit, ndërsa katër të tjerë ishin kundër, dhe një deputet mungoi.

Pas kësaj, deputetët në seancën plenare nuk votuan fare, pasi në një atmosferë të tensionuar, kryeparlamentari Xhaferi e ndërpreu seancën.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit