Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho uroi sot për një vit të mbarë akademik të gjithë studentët, sidomos ata që ulen për herë të parë në auditore si dhe të gjithë trupën e pedagogëve në universitetet e gjithë Shqipërisë
Në një deklaratë për mediat, Xhixho u shpreh se, “edhe këtë vit, numri i studentëve që ulen për herë të parë në auditor ka shënuar rënie. Nuk është gjë e re në fakt sepse ky numër sa vjen e tkurret nga viti në vit, për shkak të shpopullimi të Shqipërisë që po rritet në mënyrë dramtike”.
“Sot kemi plot 20 mijë studentë më pak seç kishim 10 vjet më parë. Edhe këtë vit, mijëra maturantë zgjodhën të largohen nga Shqipëria. Një në tre maturantë i tha jo studimit në universitetet e vendit, për të zgjedhur studimin ose emigrimin jashtë”, u shpreh Xhixho.
“E nisim këtë vit akademik me protesta dhe bojkot të studentëve të mjekësisë për një ligj që u miratua pa asnjë konsultim. Studentët nuk u lejuan as të dëgjohen në Kuvendin e Shqipërisë, por me arrogancën e kartonit iu mor peng diploma”, tha më tej ajo.
“Me detyrimin për të qëndruar në Shqipëri të paktën pesë vjet pasi janë diplomuar, pasi në të kundërt do t’u duhet të paguajnë 6 mijë euro në vit, prindërit e tyre janë sot përpara zgjedhjes: ose të shesin pasurinë e një jete për të paguar studimet ose t’u mbeten fëmijët pa shkollë”, nënvizoi Xhixho.
“Qeveria u ka mbyllur atyre dyert, duke u hequr në mënyrë arbitrare mundësinë për t’u rritur në karrierë, për t’u specializuar e për të çuar përpara kërkimin shkencor. E kemi mbështetur protestën e tyre që ditën e parë, sepse e konsiderojmë të papranueshëm izolimin me ligj të bluzave të bardha, për shkak të dështimit të qeverisë për t’i mbështetur me infrastrukturë, cilësi në arsim dhe me punësim me paga dinjitoze, duke injoruar me vite shpopullimin që i ka ndodhur vendit dhe largimin e profesionistëve”, tha Xhixho.
Sipas saj, qeveria ka dështuar me arsimin sepse nuk e ka patur kurrë prioritet.
“Zbrazja masive e universiteteve çfarë do të bëjë në të ardhmen? Apo do të presim një ligj të tillë edhe për studentët e degëve të tjera. Kjo nuk është zgjidhje. Nëse për të mbajtur mjekët e ardhshëm në vend, qeveria zgjodhi t’i kërcënonte me gjobë, mijëra studentë të tjerë u mungojnë sot auditoreve. 40 degët që qeveria i shpalli prioritare janë braktisur nga të rinjtë shqiptarë”, u shpreh Xhixho.
“Dita e parë e vitit akademik është kthyer në testin e politikave arsimore që kjo qeveri ka ndjekur vitet e fundit. Janë studentët vetë ata që po e ngelin në klasë qeverinë duke ia braktisur programet sudimore, janë pedagogët që po e braktisin sepse nuk paguhen. Kjo qeveri e ka shpërfillur arsimin e lartë, duke mos i mbështetur financiarisht as pedagogët, as studentët”, shtoi nën/kryetarja e PL.
Ajo theksoi se, arsimi shqiptar ka buxhetin më të ulët në rajon, vetëm 2.2% e PBB, sepse, theksoi Xhixho, “qeverisë i duhen paratë për inceneratorët dhe për koncesionet që u jep klientëve”.
“Kjo qeveri që nuk promovon dijen, por pazaret e korrupsionin, sot u bojkotua nga ajka e shoqërisë, nga studentët e mjekësisë. Arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar, jo me fjalë, por me buxhetim dhe me politika të qenësishme të bëra sëbashku me studentët, stafin akademik dhe gjithë shoqërinë. Duhet vepruar sot pasi nuk mund të jetë droga, kanabisi, lojërat e fatit prioriteti i një shoqërie, por vetëm edukimi, edukimi, edukimi”, përfundoi Xhixho.