Zamira Gjini siguron maturantët: Notat dhe pikët e provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë do të rishihen me kujdes!

Mos i humb

Kryetarja e Komitetit të Maturës Shtetërore, Zamira Gjini në daljen e saj publike nga ambientet e ministrisë së Arsimit ka garantuar maturantët që notat dhe pikët e provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë do të rishihen me kujdes.

Ndërsa komentoi reagimet e maturantëve lidhur me provimin, Gjini u shpreh se “Komiteti i Maturës Shtetërore pranë ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë që ditën e parë të provimit të Gjuhës Shqipe dhe të Letërsisë ka vlerësuar me kujdes reagimet e maturantëve si dhe kërkesat e tyre drejtuar ministrisë së Arsimit, duke gjykuar zgjidhjen e tyre, cilësinë e zgjidhjes së tyre pa ndikuar në procesin e maturës shtetërore”.

Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe shumë mësues të Gjuhës Shqipe që janë pyetur lidhur me testin, për modelin e testit, përshtatjen e tij me programin orientues të lëndës: Gjuhë Shqipe dhe Letërsi kanë gjykuar që të rishihet edhe njëherë mënyra e shpërndarjes së pikëve të maturantëve dhe të notave të tyre, për të shmangur çdo shqetësim të maturantëve mbi notat, gjë që ka efekt të njëjtë, të barabartë për të gjithë maturantët por kjo do të bëhet vetëm pasi të dalin rezultatet e pikëve të maturantëve”.

Gjini lajmëroi se “që sot Qendra e Shërbimeve Arsimore do të publikojë testin e plotë të lëndës Gjuhë Shqipe dhe Letërsi si dhe përgjigjen e saktë për çdo pyetje të testit, në mënyrë që çdo maturant referuar përgjigjes të mund të bëjë një rivlerësim të asaj çka ai është përgjigjur në testin e tij. Menjëherë sapo të dalin rezultatet, maturantët krahas notës së tyre do të kenë edhe variantin që kanë pasur në test dhe alternativën e saktë”.

Po ashtu, Gjini theksoi ndër të tjera se “maturantët duhet të jenë të qartë, duhet të jenë të bindur se puna e tyre në 3 vitet e gjimnazit, edhe e mësuesve të tyre do të vlerësohet me objektivitet duke iu garantuar se personalizimi i testit që iu bë këtë vit, nuk sjell shmangie të vlerësimit real të tyre në notë”.

“Duke vlerësuar çdo koment apo sugjerim të dhënë në media apo rrjete sociale nga ekspertë të fushës apo të letërsisë, apo nga mësues të cilët njohin shumë mirë programin, tekstin, nivelin e nxënësit të tyre, ne si ministri Arsimi dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore i ftojmë që sot të bëhen pjesë e tryezave të përbashkëta për të diskutuar mbi saktësinë e secilit pyetje të testit apo përputhjen e testit me programin orientues të lëndës Gjuhë Shqipe dhe Letërsi sikurse ka garantuar Qendra e Shërbimeve Arsimore”, u shpreh Gjini.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit