Një rubin prej 11.000 karatësh, i karakterizuar nga një pastërti mineralogjike dhe një ngjyrim jashtëzakonisht i rrallë, është zbuluar në Myanmar (ish-Birmani), në luginën e Mogok-ut, shkruan geopop.it.
Ai është rubini i dytë më i madh i gjetur ndonjëherë në të ashtuquajturën “Lugina e Rubinëve”, si edhe një nga gurët e çmuar me cilësinë më të lartë të zbuluar ndonjëherë në botë.
Pesha e tij kalon 2 kilogramët dhe vlera e vlerësuar është mbi 5 milionë dollarë.
Megjithëse peshon rreth 11.000 karatë (2,2 kg) – pothuajse gjysma e ekzemplarit që mban rekordin botëror – rubini i zbuluar në prill të vitit 2026 mund të ketë, sipas ekspertëve, një vlerë edhe më të lartë.
Ajo që e dallon nuk janë vetëm përmasat, por mbi të gjitha cilësia e tij: ngjyra e fortë dhe e ndritshme, që varion nga e kuqja në të kuqe-vjollcë me nuanca të lehta të verdha, kombinohet me një shkëlqim qelqor, një pastërti të lartë kimiko-mineralogjike dhe një transparencë mesatare.
Këto cilësi janë shumë të rralla për një gur me përmasa kaq të mëdha dhe e bëjnë atë jashtëzakonisht të veçantë krahasuar me shumë gurë të tjerë të zbuluar më parë.
Sipas vlerësimeve të para, edhe para prerjes dhe përpunimit, vlera e tij mund të kalojë 5 milionë dollarët.
Zbulimi u bë në luginën e Mogok-ut, e njohur në mbarë botën për pasurinë e jashtëzakonshme me gurë të çmuar, çka i ka dhënë edhe emrin “Lugina e Rubinëve”.
Mjafton të thuhet se kjo zonë e largët në zemër të Myanmar-it kontribuon me rreth 90% të prodhimit global të rubinëve.
Cilësia e gurëve të çmuar që vijnë nga Mogok-u, të njohur si “rubinët birmanë”, konsiderohet ndër më të vlerësuarat dhe më të shtrenjtat në botë për shkak të pastërtisë së lartë, fluorescencës intensive dhe ngjyrës karakteristike të quajtur nga gemologët “e kuqja e gjakut të pëllumbit”.
Rubinët gjenden kryesisht në shkëmbinj metamorfikë, si mermeri, dhe mendohet se zbulimet e para në këtë zonë datojnë rreth 2 000 vjet më parë.
Lugina e Mogok-ut nuk është e panjohur për zbulimin e gurëve të çmuar me përmasa të jashtëzakonshme. Pikërisht këtu, në vitin 1996, u zbulua rubini më i madh i gjetur ndonjëherë: një ekzemplar i papërpunuar prej 21.450 karatësh, i barabartë me 4,29 kilogramë.
Nga e njëjta zonë vijnë edhe gurë të tjerë të famshëm, si rubini SLORC, i zbuluar në vitin 1990 me peshë 496,25 karatësh, dhe rubini NaSaKa, i nxjerrë në vitin 2022, me mbi 2.789 karatë, ose rreth 557 gramë.
Ky zbulim i fundit konfirmon edhe një herë statusin e Mogok-ut si një nga rajonet më të pasura dhe më të rëndësishme në botë për nxjerrjen e rubinëve me cilësi të jashtëzakonshme.


