Kryetari i PD Lulzim Basha i ka konsideruar sajesa deklaratat se zgjedhjet në FRPD u njoftuan pasi Belind Këlliçi njoftoi pjesëmarrjen në Foltoren e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Sipas Bashës, ai nuk po bën gjë tjetër veçse po respekton statutin duke hapur garën një anëtar një votë për kreun e ri të FRPD-së, pasi mandati i Këlliçit ka përfunduar.
“Jo nuk është aspak e vërtetë, kjo është një sajesë e fabrikuar për interesa personale. Për herë të parë nën drejtimin tim FRPD ka zhvilluar zgjedhje, madje zgjedhje me një anëtar një votë për kryetarin si dhe zgjedhjen e forumeve drejtuese.
Për fat të keq prej dy vitesh mandati i forumeve drejtuese dhe i kryetarit ka skaduar dhe në përputhje me normat demokratike përsëri me ‘një anëtar një votë’ të rinjtë dhe të rejat demokrate do zgjedhin përfaqësuesit e tyre, duke përfshirë dhe kryetarin e ri.
Ne kemi shumë sfida përpara, por asgjë nuk mund të pengojë PD të zbatojë normat statutore të demokracisë dhe aq më pak interesat personale të pengojnë funksionimin e parimeve të tilla siç janë zgjedhja me një anëtar një votë që është një risi për të cilën PD është ballëlartë dhe unë si kryetar i saj jam krenar”, tha Basha.


