Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa reagoi sot për sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës, duke theksuar se “PD vlerëson çdo masë dhe vendim për zbatimin e ligjit”.
“Vetëm dje, pas vitesh denoncime të Partisë Demokratike, përballje me forcën e provave dhe fakteve, padive në SPAK, më në fund u hap kapaku i pusetës së inceneratorit inekzistent të Tiranës. Por, sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës bëhet dy vite pasi pronarët e tij, fiktiv apo në letra, janë shpallur në kërkim dhe në fakt, kjo masë ndryshe nga dy të tjerët, djegësi i Elbasanit dhe Fierit as që mund të kryhet, sepse në Sharrë nuk ka pasur kurrë dhe nuk ka as sot incenerator. Letrat dhe kompania e Zoto-Mërtirit mund të sekuestrohen”, theksoi Zhupa në një deklaratë për medie.
Zhupa tha se “njoftimi i SPAK flet për hetimin e veprës penale ‘shpërdorim detyre’, një vepër që nuk i përket as Zotos, as Mërtirit, dy individë që më së shumti janë vetëm aksionerë dytësorë të sipërmarrjes Rama- Veliaj”.
“Zoto dhe Mërtiri nuk mund te ndryshonin praktikën e trajtimit të mbetjeve në Tiranë, nuk mund të dërgonin siç ka dërguar Erion Veliaj katër shkresa për miratimin e koncensionit, nuk mund të tjetërsonin para nëse qeveria dhe bashkia nuk do jepte para për djegie plehrash kur djegës nuk ka”, shtoi ajo.
Sipas Zhupës, “SPAK nuk mund të anashkalojë as mënyrën se si u bë gara për djegësin e Tiranës, si iu dha bonusi prej 8 pikesh 9 muaj para se te regjistrohej kompanisë fituese, e cila u regjistrua vetëm një ditë para lidhjes së kontratës, si rastësisht me të njëjtët pronarë përfitues me Elbasanin dhe Fierin”.
“Qeveria dhe Bashkia e Tiranës kanë vepruar të koordinuar si një organizatë e strukturuar kriminale, ku vendimet përgatiteshin nga zyra private dhe ekzekutoheshin në zyra publike. SPAK duhet t’i lidhë zyrtarët, siç janë të lidhur me njëri- tjetrin, si një grup i strukturuar kriminal. Çdo përpjekje për t’i copëzuar synon mbrojtjen e tyre nga kjo akuzë e tmerrshme dhe reale dhe nuk ndihmon në nxjerrjen para drejtësisë të atyre që kanë vjedhur qindra miliona euro nga taksat e qytetarëve”, theksoi Zhupa


