Kryeministri Edi Rama kërkoi nga gjykatat dënimin e merituar për zjarrvënësit, të cilët, siç tha Kreu i qeverisë cenojnë një pasuri të vendosur nga gjenerata e shkuara, e që i takon gjeneratave të ardhshme.
Rama kujtoi se kodi penal parashikon 15 vite burg për zjarrvënësit, teksa vlerësoi si mjaft pozitive punën e Agjencisë për Mbrojtjen Civile.
https://www.facebook.com/ediramaal/videos/619647266820880
“Dua të sjell në vëmendje performancën pozitivë të agjencisë së mbrojtjes civile në përballimin e situatave të zjarreve dhe menaxhimin me sukses dhe reduktimin maksimal të dëmeve potenciale të këtyre zjarre. Ashtu sikundër paralelisht dua të sjell në vëmendje performancën e shkëlqyer të policisë së shtetit në kapjen dhe vënien para përgjegjësisë së zjarrvënësve”, theksoi Rama.
“Kemi një sukses që është domethënës dhe shumë shpresë-dhënës për reduktimin e këtij fenomeni në kushtet e ndryshimeve klimaterike. Shikon se çfarë po ndodh në Greqinë fqinje me zjarret. Por, për këtë premisa është që gjykatat e vendit të jenë në lartësinë e detyrës së tyre ligjore dhe të japin dënimin e merituar për këta barbarë të verbër që cenojnë një pasuri që është vënë me gjenerata dhe që është e gjeneratave të tjera”, vijoi Rama.
“Historia e marrëdhënies së drejtësisë me zjarrvënësit është një histori shumë e shëmtuar, deri në neveri. Janë rrëqethëse rastet kur gjykatat në rrethe të caktuara nuk i kanë nisur çështjet fare. Zjarrvënësit kanë vijuar të vazhdojnë aktivitetin e tyre barbarë pa u prekur nga ligji. Ndërkohë që Kodi Penal i Shqipërisë i amenduar prej nesh parashikon 15 vite heqje lirie për zjarrvënësit”, përfundoi Rama.


