Zv.kryeministrja e Shqipërisë takon kryeparlamentarin e Maqedonisë

Mos i humb

Gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, është takuar sot me zëvendëskryeministren e Republikës së Shqipërisë, Senida Mesi.
Në një njoftim nga zyra për shtyp e zv.kryeministres së Shqipërisë, thuhet se gjatë takimit, Mesi dhe Xhaferi janë dakorduar për të vijuar intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në çdo lloj niveli.

“Nismat dhe reformat e ndërmarra nga qeveria e Maqedonisë janë vlerësuar nga Mesi si tejet inkurajuese dhe pozitive për bashkëpunimin rajonal dhe më gjerë. Në kuadër të marrëdhënieve ekonomike e tregtare, zëvendëskryeministrja Mesi ka ndarë mendimin për të pasur një pikë kufitare të vetme dhe ku zbatohen procedura më të thjeshtëzuara për qarkullimin e mallrave. Njëkohësisht, ajo ka shprehur bindjen se ndërtimi i linjës 400 kilovolt mes Shqipërisë e Maqedonisë, Rruga e Arbrit dhe shumë projektet të tjera potenciale do t’i shërbejnë dukshëm një komunikimi më të gjerë ekonomik mes dy vendeve”, theksohet në njoftim.

Sipas njoftimit, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, duke nënvizuar se Shqipëria e Maqedonia janë në rrugën e duhur në drejtim të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes tyre, “shprehu mendimin se ka hapësirë për rritjen e bashkëpunimit dypalësh veçanërisht në fushën e bujqësisë, arsimit dhe shëndetësisë.”

Xhaferi është ndalur gjatë takimit edhe tek nisma e ligjit të gjuhëve në Maqedoni, për të cilën theksohet se “shprehu bindjen se do të kalojë brenda një kohe shumë të shkurtër.”

Kryparlamentari i Maqedonisë gjatë vizitës dyditore në Shqipëri u takua me homologun e tij Gramoz Ruçi, presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, si dhe me kreun e opozitës dhe njëkohësisht kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit