Afër 100 ministra të shëndetësisë do të takohen në Turqi

Mos i humb

Afër 100 ministra të Shëndetësisë nga mbarë bota do të takohen në “Samitin e Ministrave të Shëndetësië” që do të organizohet për herë të parë në Turqi, ku do të hartojnë udhërrëfyesin në lidhje me transplantimin e organeve dhe do të nënshkruajnë deklaratën e “Diplomacisë Globale të Shëndetësisë për Luftë Kundër Krimeve të Lidhura me Transplantimin e Organeve”.

Në samitin që organizohet më 18 dhe 19 tetor në Kemer të Turqisë nën përkujdesje të Ministrisë së Shëndetësisë të Turqisë në koordinim me Fondacionin Turk të Transplantit të Organeve (TONV), do të marrin pjesë ministra të Shëndetësisë nga kontinente të ndryshme, përfshirë Afrikën, Evropën, Amerikën Latine dhe Azinë.

Krahas 76 shteteve që do të marrin pjesë në aktivitetet që do të realizohen në kuadër të Rrjetit Ndërkombëtar të Transplantit – ITN, në mesin e të cilave gjenden Senegali, Nigeria, Kenia, Etiopia, Egjipti, Malajzia, India, Pakistani, Maroku, Tunizia dhe Algjeria, pjesëmarrës do të jenë edhe ministrat e shteteve evropiane që kanë strehuar refugjatë.

Ministria turke e Shëndetësisë dhe ITN do të marrin përsipër rol kryesues në vazhdimin e këtij bashkëpunimi.

Duke folur për AA në lidhje me çështjen, drejtori i përgjithshëm i Shërbimeve Shëndetësore pranë Ministrisë së Shëndetësisë, Alper Cihan, tha se Samiti synon “informimin e ministrave të Shëndetësisë të vendeve në zhvillim dhe pak të zhvilluara, vetëdijësimin mbi deklaratat ndërkombëtare dhe tejkalimin e transplanteve joligjore dhe joetike në vendet përkatëse siç është trafikimi i organeve, duke rritur kapacitetet ligjore dhe teknike”.

“Një tjetër qëllim i samitit është rritja e bashkëpunimit mes shteteve në mënyrë që të sigurohet mbështetje teknike që shtetet të bëhen të vetëmjaftueshme për shërbimet që kanë të bëjnë me transplantin”, shtoi Cihan.

Ndërkaq, Eyüp Kahveci, kryetari i TONV-së, tha se samiti synon rritjen e vetëdijes së autoriteteve të larta në parandalimin e krimeve si trafikimi i organeve.

“Synim tjetër i samitit është inkurajimi i bashkëpunimit mes shteteve mbi bazat e diplomacisë në fushën e shëndetësisë, që në këtë mënyrë të aktivizohen mekanizmat proaktive për parandalimin e këtyre krimeve dhe që shtetet të bëhen të vetëmjaftueshme në shërbimet rreth tranplantit”, tha Kahveci.

Në të njëjtën kohë, samiti do t’u ofrojë ministrave mundësi për vendosje marrëdhëniesh të vazhdueshme dhe realizim takimesh dy dhe shumëpalëshe me homologët e tyre, shtoi ai.

“Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Turqisë dhe ITN do të vazhdojnë punimet për vazhdimin e bashkëpunimit për realizimin e projekteve dhe programeve të përcaktuara bashkërisht nga shtetet pjesëmarrëse dhe bashkëpunimit”, theksoi Kahveci./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit