Avokati i Popullit prezantoi Raportin vjetor për 2017

Mos i humb

Avokati i Popullit në Maqedoni, Ixhet Memeti, ka prezantuar sot raportin Vjetor mbi nivelin e sigurimit, respektit, promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut në vitin 2017, por edhe për nivelin me të cilin institucionet e shtetit në mënyrë të drejtë kanë zbatuar ligjet dhe rregullat tjera me të cilat qytetarëve u garantohen të drejtat e tyre.

Në konferencën për mediat, Memeti tha se në shtet, akoma sundon drejtësia selektive, ndërkohë që për administratën publike tha se është e partizuar dhe joprofesionale, ndërsa ajo në nivel lokal, po shndërrohet në pengesë serioze për realizimin e të drejtave të qytetarit.

“Dispozitat juridike populiste dhe të pazbatueshme në mënyrë shtesë kanë ngarkuar realizimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Sistemi i keq i përmbarimit po godet shtresën më të varfër të qytetarëve ndërsa mbrojtja sociale është një sistem me të cilin nuk tejkalohet rreziku social”, thotë Memeti.

Ai thotë se ka një përmirësim në fushën e komunikimit me pushtetin qendror dhe administratën publike, por fatkeqësisht, thotë ai, kjo nuk vlen edhe për gjyqësorin, ku Avokati i Popullit nuk po gjen bashkëpunim.

“Vitin e kaluar kemi patur 4.185 raste dhe për 3.594 sosh kemi nisur procedura ndërsa për 1.137 raste kemi konstatuar shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut. Në 970 parashtresa janë pranuar ankesat tona, për 104 raste procedura është në zhvillim e sipër ndërsa në 63 raste nuk u morën parasysh vërejtjet tona”, thotë më tej Memeti.

Ai adresoi kritika në llogari të administratës publike, për çka i bëri thirrje minsitrit kompetent, të ndërmerr hapa radikal për ndryshime në këtë sistem, pasi siç theksoi, punësimet partiake akoma janë të pranishme në administratë.

Avokati i Popullit informoi se gjatë vitit 2017, policia ka vepruar në mënyrë joprofesionale, duke zbatuar standarde të dyfishta që ka konfirmuar dyshimet për partizim të thellë të këtij organi.

“Rekomandimi im është që MPJ të ngrihet mbi interesat partiake, për të kryer punën në mënyrë efikase dhe profesionale, me çka do të ushtroj funksionin që ka, në të mirën e qytetarëve. Prokuroria Publike nuk shfaqi synime serioze në kryerjen e hetimeve efektive, që paraqet një problem serioz në Maqedoni, sepse minon besimin e qytetarëve në institucionet. Nga pesë padi penale që parashtruam për policinë, vetëm për një ka akuzë”, thotë Memeti.

Avokati i Popullit u ndal edhe në punën e gjyqësorit administrativ, indolenca e të cilit bie mbi supet e qytetarëve të cilët me vite presin realizimin e mbrojtes sociale dhe shëndetësore, denacionalizimin e pronave, tatimet etj., ndërkohq që u ankua edhe për personat me nevoja të veçanta, të cilët sipas tij, shteti nuk u kushton kujdesin e nevojshëm./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit