Basha në Bruksel: BE, shqetësim për ngecjen e reformës në drejtësi

Mos i humb

Kreu i PD-së Lulzim Basha është takuar me drejtues të lartë të Partive Popullore Europiane në Bruksel, ku konfirmoi se opozita mbështet plotësisht çeljen e negociatave të anëtarësimit mbi bazën e meritës.

Basha theksoi se ky proces po demtohet nga mosplotësimi i kritereve kyc siç janë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nga kapja e drejtësisë dhe sabotimi i reformës në drejtësi nga Rama, me qëllim mbrojtjen e peshqve te mëdhenj të krimit me të cilët i bleu votat dhe maxhorancën ilegjitime.

“Nëse kjo është vetëm çështje e vullnetit politik, për t’i çuar gjërat përpara, atëherë ne do të insistonim që me vullnet politik Shqipërisë t’i hapen negociatat, pavarësisht se kemi të bëjmë me një qeveri të dështuar në të 5 prioritetet, por ne e dimë fare mirë se nuk është thjesht dhe vetëm çështje e vullnetit politik, se shumë vende anëtare dhe institucionet e konsiderojnë këtë në vetvete një proces për të nxitur reformat. Dhe të gjithë janë të shqetësuar se reformat jo vetëm nuk po ecin, por po shkojnë mbrapa, siç është rasti i reformës në drejtësi, kur shpërfillen rekomandimet e ONM, pse, për të kapur KLGJ, për të kapur KLP, që nesër të kontrollohet SPAK-u për të njëjtat arsye që po ndryshon Rregulloren e Parlamentit: që asnjë politikan i inkriminuar të mos shkojë para drejtësisë, por të mbrohet siç po mbrohet Saimir Tahiri”, tha Basha pas takimeve.

Ai gjithashtu konfirmoi qëndrimin e opozitës se zgjidhja politike për Shqipërinë është një qeveri antimafia e çliruar nga krimi, që do t’i japë vendit zgjedhje të lira e të ndershme.

“Duket qartë se zëri i shqiptarëve të bashkuar më 27 janar kumbon fuqishëm edhe këtu në Bruksel në zemrën e Bashkimit Europian, në institucionet e Bashkimit Europian dhe në Parlamentin Europian. Ka një shqetësim të jashtëzakonshëm të institucioneve europiane dhe të përfaqësuesve të vendeve anëtare për ngecjen e reformës në drejtësi dhe për kapjen e drejtësisë, e cila mishërohet nga rasti “Tahiri,”-tha Basha.

Zoti Basha pati takime me Presidentin Joseph Daul, me zëvendëspresidentin dhe njëkohësisht Kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian David Mcallister, me komisionerin Hahn, me Kryetarin e Komisionit të Çështjeve Europiane në Bundestag Gunther Krichbaum, Kryetarin e grupit parlamentar të PPE Manfred Ëeber etj.

“Dhe unë nuk kam pikë dyshimi se partnerët e kanë kuptuar që, përtej fjalëve të bukura, propagandës, Edi Rama, përfaqëson atë që këta tani e masin vetë pas 5 vitesh të tij në pushtet, më shumë drogë eksportohet prej tij, më shumë krim eksportohet nga Shqipëria drejt Europës prej tij dhe më shumë emigracion i paligjshëm. Ky është produkti i Edi Ramës në raport me Europën.”-tha Basha./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit