Ende nuk dihet kur do të procedohet Projektligji për transformimin e FSK-së në Ushtri

Mos i humb

Procedimi në Qeveri i Projektligjit të transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, nuk dihet se kur do të ndodhë. Por, Qeveria thotë se kurdo që të ndodhë duhet të bëhet në bashkëveprim me partnerët strategjik të Kosovës.

Zëdhënësja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Donjeta Gashi, ka thënë për Telegrafin se, pakoja e ligjeve është pranuar nga ana e Qeverisë.

“Pakoja e ligjeve e dërguar nga ministria përkatëse është pranuar nga ana e Qeverisë, por ende nuk është proceduar në mbledhjen e Qeverisë. Interesi i Qeverisë është që kjo të ndodhë sa më parë, por gjithmonë në bashkëveprim me partnerët tanë strategjikë”, ka thënë Gashi.

Ndërsa, politologu Ramush Tahiri, tha se për shkak të pengesave kushtetuese, përpjekjet për procedim të këtij projektligji kanë dështuar disa herë.

Ai ka uruar që ky ligj të kalojë në mënyrë që edhe Kosova, sikurse shtetet e tjera, të ketë ushtrinë e saj.

“Kemi pasur disa herë përpjekje të tilla, mirëpo për shkak të pengesave kushtetuese nuk kanë mundur të realizohen, si dhe për shkak të bashkëpunimit ndërkombëtar. Tash vetëm duhet të urojmë që ky ligj të kalojë dhe që Kosova, sikurse çdo shtet tjetër, ta ketë ushtrinë e vet”, tha Tahiri për Telegrafin.

Ai tha duhet ndryshuar Kushtetuta, pasi që pengesat për këtë projektligj janë kushtetuese.

“Qeveria duhet t’i realizojë projektligjet, të cilat i dërgon në Kuvend. Pengesat janë kushtetuese dhe tani duhet ndërruar Kushtetutën për ta bërë ushtrinë. Kosova ka nevojë për ushtri, këtë e pohojnë edhe miqtë tanë ndërkombëtarë dhe fundja duhet të finalizohet vetë misioni i FSK-së”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se Lista Serbe ka qenë dhe mbetet pengesë për këtë projektligj.

Në anën tjetër njohësi i kësaj fushe, avokati Musa Damati, duke folur për pengesën e Listës Serbe për projektligjin e FSK-së, ka potencuar se ka ardhur koha që të ndryshohen kapitujt e Kushtetutës, në të cilat imponohen 2/3 e votave të komuniteteve.Sipas tij, interesat e përgjithshme të Republikës së Kosovës dhe të shoqërisë nuk mund të mbesin peng i jo-konsensuseve dhe kushtëzimeve të vazhdueshme të grupeve të vogla të caktuara parlamentare.

“Konsideroj se ka ardhur koha që Kushtetuta e Republikës së Kosovës të amandamentohet dhe të ndryshohen kapitujt në të cilat imponohen 2/3 e votave të komuniteteve. Kjo për arsye se interesat e përgjithshme të Republikës së Kosovës dhe të shoqërisë nuk mund të mbesin peng i jo-konsensuseve dhe kushtëzimeve të vazhdueshme të grupeve të vogla të caktuara parlamentare, por duhet të vazhdohet tutje me avancimin në krijimin e institucioneve stabile të forta dhe të qëndrueshme të shtetit”, sqaroi Damati për Telegrafin.

Sipas tij, “Kushtetuta multietnike duhet të shndërrohet në Kushtetutë funksionale, e cila e promovon vullnetin e shumicës pa dallime racore, etnike, fetare apo gjinore.

Ndryshe, Ministria e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, Projektligjin për transformimin e

FSK-së në ushtri, e pati dërguar për procedim në Qeverinë e Republikës së Kosovës, më 8 maj./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit