Gjermania: Shumë pyetje për rastin Khashoggi mbeten të hapura

Mos i humb

Përkundër akuzave të para të ngritura në hetimin e autoriteteve saudite, shumë pyetje rreth vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi mbeten pa përgjigje, tha Ministria e Jashtme e Gjermanisë.

Duke folur në një konferencë për media në Berlin, Christofer Burger, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, tha se Gjermania është ende duke pritur një zbardhje të plotë dhe llogaridhënie nga Arabia Saudite.

“Ka pasur disa zhvillime dje. Ky ishte një hap i parë. Megjithatë, shumë pyetje mbeten të hapura, siç ka qenë edhe më parë”, tha Burger.

Prokuroria e përgjithshme saudite njoftoi të enjten se 11 të dyshuar janë akuzuar për vrasjen e Khashoggit brenda Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll dhe se ka kërkuar dënim me vdekje për pesë prej tyre.

Prokurorët e kanë liruar princin saudit Mohammed bin Salman nga çdo fajësi për vrasjen.

Burger nënvizoi se Gjermania pret një hetim të plotë dhe transparent në përputhje me standardet ndërkombëtare.

“Vrasja e Khashoggi duhet të hetohet në tërësi. Presim që përgjegjësit për vrasjen të japin llogari”, shtoi ai.

Khashoggi, kolumnist në gazetën The Washington Post, u vra më 2 tetor në Konsullatën Saudite në Stamboll.

Pas disa javësh mohime për përfshirjen në krim, Arabia Saudite më vonë pranoi se Khashoggi ishte vrarë brenda konsullatës, por tha se familja mbretërore saudite nuk kishte njohuri paraprake për ndonjë komplot për vrasjen e gazetarit.

Deri tani, 21 persona, përfshirë oficerë të sigurisë, janë arrestuar në Arabinë Saudite në lidhje me vrasjen./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit