Gjonaj: BKH gati brenda vitit, hetuesit do të ndjekin të gjitha dosjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit

Mos i humb

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, tha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian se Byroja Kombëtare e Hetimit do të plotësohet brenda vitit me hetuesit, që sipas saj, do të nisin shqyrtimin e dosjeve të krimit dhe korrupsionit.

“SPAK ushtron të gjitha detyrat që i ngarkon Kushtetuta, është funksional. Edhe BKH do të plotësohet brenda vitit me hetuesit, që do të jenë shumë të rëndësishëm për të ndjekur të gjitha dosjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, u shpreh ministrja.

Më tej, ministrja Gjonaj tha se Ministria e Drejtësisë po bashkëpunon në mënyrë intensive me institucionet e reja dhe partnerët ndërkombëtarë për zbatimin e Reformës në Drejtësi.

“Është e rëndësishme të theksoj se Ministria e Drejtësisë po bashkëpunon në mënyrë intensive me institucionet e reja të pavarura të Reformës në Drejtësi. Kjo reformë, është shumë komplekse, radikale, ku ka pasur jo pak vështirësi në zbatimin e saj, por rezultate shumë të mira janë arritur deri tani. Ngritja e SPAK dhe emërimi i drejtorit të BKH sollën rezultate të tjera të rëndësishme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Një aspekt shumë i rëndësishëm është edhe procesi i Vettingut, që ka ecur me ritme të ngadaltë, për shkak edhe të pandemisë, por po punohet për përshpejtimin e ritmet. Një rëndësi të posaçme pati edhe rritja e pagave të prokurorëve të SPAK, me qëllim që ata të kryejnë detyrën dhe të kemi rezultate.

Në këtë rrugëtim partnerët ndërkombëtarë kanë qenë mbështetje e jashtëzakonshme. Aktualisht së bashku me partnerët kemi hartuar planin e veprimit për Reformën në Drejtësi, me qëllim që të arrijmë rezultatet më të rëndësishme në drejtësi.

Duhet që çdo lloj elementi që sjell problematika, ne duhet të fitojmë kohën, me qëllim që të kemi të ngritura brenda këtij viti Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë. Gjykata Kushtetuese funksionon, s’mund të themi që është tërësisht jo funksionale. Do duhen edhe dy gjyqtarë të tjerë të emëruar, që të realizohet kuorumi. KLD po punon për plotësimin e vakancave. Nga biseda që kam bërë me gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, shpejt do të ketë shqyrtim të një numër të madh dosjesh. Plotësimi i vendeve vakante është një sfidë”, u shpreh ajo.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit