Harrohen akuzat me burg: si PDK po e përkrah Shpend Ahmetin në Prishtinë

Mos i humb

Nga Blendi Gashi

 PDK-ja e Kadri Veselit, në prag të zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, konkretisht në muajt gusht e shtator nisi një ofensivë të paparë ndaj Vetëvendosjes dhe kandidatit të saj Shpend Ahmeti duke e akuzuar për keqqeverisje  e keqpërdorime të shumta në mandatin e parë qeverisës në kryeqytet.

Çdo fundjavë (të dielave) organizonte konferencë për media ku vetëm ndërroheshin zyrtarët e partisë, ku njëri prej tyre pohoi se Shpend Ahmeti e ka vendin në burg, për, siç deklaroi, dhënien e një hapësire për një kompani duke anashkaluar Kuvendin Komunal.

Aq u rritën armiqësitë sa nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili më  28 gusht të 2017-tës zyrtarët e VV-së i quajti kriminelë, duke i akuzuar për rrahjen e bashkëshortes së ministrit të atëhershëm të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Por pas më shumë se gjysmë viti, kur VV është ndarë në dysh dhe Shpend Ahmeti është larguar nga vetëvendosësit, ky i fundit tashmë siç duket ka relaksuar raportet me zyrtarë të PDK-së dhe akuzat i kanë ndërruar me buzëqeshje dhe shtrëngim duarsh.

Është pikërisht Uran Ismaili, ministri aktual i Shëndetësisë, njëherit asambleist i PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, pra opozitar i Ahmetit, që ka takuar të hënën në cilësinë e ministrit të parin e kryeqytetit me ç’rast i ka premtuar mbështetje duke lënë anash të paktën për një moment armiqësinë.

Ismaili e Ahmeti kanë folur sy më sy për projektin e zvarritur për vite për ndërtimin  spitalit të Prishtinës, ky një ndër premtimet më të mëdha të dhëna nga Ahmeti gjatë fushatës zgjedhore.

Ismaili, përmes një njoftimi në Facebook, bisedën me “armikun” e tij e ka cilësuar konstruktive dhe ka bërë të ditur se spitali do ndërtohet së shpejti pa dhënë një afat kohor.

Për ta avancuar këtë projekt, sot pata një takim të frytshëm me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, të cilin e falënderoj për bisedën konstruktive. Prishtina do të bëhet me spitalin e saj dhe rezultatet e para do të shihen së shpejti. Prishtina ka nevojë për një spital të qytetit. Projekti dhe realizimi i tij ka vite që është zvarritur duke lënë prishtinasit pa shërbime të merituara shëndetësore. Kur kam ardhur në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, një nga prioritet e mia ka qenë ndërtimi i këtij spitali”, ka thënë Ismaili, duke kritikuar kështu paraardhësit e tij për mos ndërtimin e këtij spitali.

Megjithatë për takimin në fjalë nuk ka shkruar në Facebook, Ahmeti edhe pse një gjë të tillë bën thuajse pas çdo takimi e pune që realizohet në kryeqytet, siç është shkrimi më 29 prill kur dha lajmin për asfaltimin e një pjese të rrugës “Fehmi Lladrovci”.

Ahmeti ndoshta me qëllim nuk ka shkruar në Facebook për takimin me ministrin Ismailin, njërin nga njerëzit më të besuar të Kadri Veselit pasi mund të ketë pasur frikë se do të akuzohej për një flirte me njerëzit e PDK-së edhe pse takimi ka ndodhur për realizimin e projekteve në kryeqytet.

Duhet kujtuar se Ahmeti nuk shkroi status në Facebook as kur u largua nga VV, çka u komentua në media si frikë ndaj reagimit të qytetarëve.

Kujtojmë se Ahmeti gjatë fushatës zgjedhore për të fituar mandatin e dytë se do të bëjë ndërtimin dhe funksionalizimin e spitalit të kryeqytetit në vitin 2019, afër apo brenda Qendrës Klinike Universitare.

Mbetet të shihet nëse do e realizon këtë premtim brenda këtij viti apo do mbetet për vitin tjetër. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit